Mediu: Kërkojmë reciprocitet nga PD në hartimin e listave

Teksa Lulzim Basha nuk e ka thënë ende fjalën e fundit lidhur me formulën e daljes me një apo dy koalicione në zgjedhjet e 25 Prillit, aleati i tij, kryerepublikani Fatmir Mediu ka ndezur motorët e fushatës elektorale, duke prezantuar 36 kandidatët e kësaj force politike për qarkun e Tiranës.

Ndonëse fitoren e sheh në krah të Partisë Demokratike, Lulzim Bashës në këto ditë të fundit që i kanë mbetur përpara regjistrimit të koalicioneve në KQZ i kërkon ndershmëri dhe vlerësim për kandidatët e propozuar nga partia e tij, ku vetë mendon të garojë në  qarkun e Tiranës.

“Kërkojmë reciprocitet dhe vlerësim të njerëzve të PR dhe peshës e ideve te PR. Ne duam të fitojme me PD dhe i takon PD që të caktojë se cilat janë rrugët e fitores dhe e vetmja është rruga e ndershmërisë për të ndërtuar një koalicion vlerash dhe e vetmja mënyrë është kur respekton vlerat e çdo partie, dhe kush janë kandidatët që përcaktojnë këto vlera në mënyrë që në parlament nesër të jetë zëri i qytetarëve”.

Përpara bashkimit të shqiptarëve në 25 Prill, Mediu thotë se nevojitet bashkimi i së djathtës rreth vlerave dhe kontributeve të çdo force brenda saj.

“Për të bashkuar shqiptarët në 25 Prill të bashkojmë në rradhë të parë atë që është identiteti politik i të djathtës, të përndjekurit politikë, pronarët, themeluesit e lëvizjeve demokratike. E djathta duhet të bashkohet por jo për të shërbyer si aneks apo qoshe për çdo politikan por në çdo qendër votimi për të garantuar zgjedhje të lira e të ndershme, duhet të ndërtojë një koalicion vlerash për besim”.

Formula e koalicionit dhe pozicionimi i aleatëve në lista janë dy nga çështjet që Lulzim Basha po i negocion  personalisht prej javësh me aleatët e tij. Parimisht është rënë dakord që në funksion të maksimalizimit të votave në disa qarqe opozita do të dalë me një listë të përbashkët, e në zona të caktuara të vegjlit do të kenë kandidatët e tyre.

Tv Klan