Drejtuesit e shtëpisë së njohur të modës Prada pritet të marrin një vendim këtë javë në lidhje me një blerje të mundshme të markës tjetër të njohur Versace.
Një marrëveshje për të blerë Versace, në pronësi të kompanisë shumëkombëshe të modës Capri Holdings CPRI.N me bazë në Nju Jork, do të bashkonte dy nga emrat më të mëdhenj të modës italiane.
Gazeta italiane Corriere della Sera bën me dije se një marrëveshje e mundshme mund të bëhet e ditur të enjten, më 10 Prill. Më herët e përditshmja italiane La Repubblica bëri me dije se shefi ekzekutiv i kompanisë shumëkombëshe të modës Capri Holdings, John Idol, pritet në Milano në ditët në vijim për të diskutuar marrëveshjen.
Tarifat e reja të Presidentit Donald Trump kanë shkaktuar tronditje në tregjet globale, dhe pritet që kjo të merret parasysh edhe në këto negociata.
Versace u ble nga kompania Capri Holdings për 1.8 miliardë Euro në 2018, por kohët e fundit është përballur me humbje.
Pas largimit të Donatella Versace, vendin e saj e mori Dario Vitale i cili ka qenë drejtor dizajni dhe imazhi te Miu Miu.
Klan News