Strehohen 6 herë më shumë se kapacitetet e nevojshme

Gjendja e refugjatëve të strehuar në ishujt grekë të Egjeut është në prag katastrofe. Alarmi jepet nga komisionerja e Këshillit të Europës për të drejtat e njeriut, Dunja Mijatoviç. Ajo thekson se kushtet e akomodimit të refugjatëve në këto kampe, janë shokuese.

Dunja Mijatoviç, Komisionere e Këshillit të Europës për të Drejtat e Njeriut: Kam parë me sytë e mi njerëzit që rrinin në radhë për më shumë se tre orë për ushqim. Pashë fëmijë me sëmundje lëkure të pakuruara, dëgjova që s’kishin mjekim, ilaçe dhe shumë gjëra të tjera që janë shokuese për Europën e Shekullit XXI.

Në kampet e improvizuara të ishujve grekë strehohen aktualisht 36 mijë azilkërkues nga Lindja e Mesme dhe Afrika Veriore, një shifër që kapërcen disa herë kapacitetet. Vetëm në ishullin Lesbos kapaciteti i pritjes së refugjatëve është 2840, por aktualisht aty strehohen gati 6 herë më shumë refugjatë. Këtë vit është konstatuar rritje e numrit të tyre që vijnë përmes rrugëve ilegale detare nga Turqia, që po strehon rreth 3.6 milionë refugjatë sirianë. Autoritetet greke miratuan këtë javë ligjin që përshpejton procedurat e azilit, që duhej të ishte miratuar me kohë për të shmangur një situatë të tillë.

Tv Klan