Prag lufte në Ukrainë?




Prag lufte në Ukrainë?

23:29 24/01/2022

NATO afron trupat në Evropën Lindore

Rreziku në rritje i sulmit rus ndaj Ukrainës ka vënë në veprim edhe NATO-n. Aleanca veri-atlantike vendosi të shtojë praninë në Evropën Lindore, për të garantuar sigurinë e aleatëve që ndodhen pranë kufirit me Ukrainën. Këtë gjë e konfirmoi edhe sekretari i përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg ne një konferencë për shtyp.

“Ne po konsiderojmë të rrisim prezencën tonë në pjesën Lindore të aleancës. Kjo mund të përfshijë vendosjen e grupeve luftarake shtesë. Në të njëjtën kohë NATO mbetet e gatshme të vazhdojë dialogun me Rusinë”.

Zëdhënësja e NATO-s, Oana Lungesku, njoftoi në Twitter se Danimarka do të dërgojë avionë F-16 në Lituani. Franca do të dërgojë trupa në Rumani, Holanda avionë F-35 në Bullgari, ndërsa Spanja do të afrojë fregatat e saj në Detin e Zi. Edhe New York Times shkruan se administrata Biden po shqyrton mundësinë e dërgimit të mijëra trupave në Evropën Lindore dhe vendet baltike.

Që konflikti ushtarak është afër, këtë e tregon edhe vendimi i Londrës për të larguar gati gjysmën e stafit diplomatik nga Ukraina. Të Shtunën edhe Departamenti Amerikan i Shtetit vendosi të largojë familjarët e diplomatëve nga Ukraina. Për Bashkimin Europian është ende herët të ndërmarrë një hap të tillë. Presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen njoftoi miratimin e një ndihme financiare 1.2 miliardë Dollarë ndihmë për Ukrainën.

Tv Klan











Të ngjashme