Ndërsa Shqipëria përgatitet për zgjedhjet e ardhshme, Dhoma Amerikane e Tregtisë (AMCHAM) ka parashtruar një seri rekomandimesh për të përmirësuar klimën e investimeve dhe për të pozicionuar vendin si një destinacion tërheqës për biznesin ndërkombëtar, veçanërisht për investitorët amerikanë.
Në një deklaratë të fundit, Neritan Mullaj, drejtor ekzekutiv i (AMCHAM), theksoi në “Pro Business” në Tv Klan se Shqipëria është në momentin më të mirë të saj për të tërhequr investime, por për ta bërë këtë realitet, duhen ndryshime strukturore.
“Konkurrenca rajonale po rritet çdo ditë. Shqipëria duhet të veprojë me vendosmëri për të shfrytëzuar plotësisht potencialin e saj si destinacion investimesh,” tha Mullaj.
7 shtyllat kryesore të AMCHAM për një ekonomi më konkurruese janë forcimi i klimës së investimeve dhe kornizës rregullatore, lufta kundër korrupsionit dhe rritja e transparencës, konsultime publike efektive me biznesin dhe qytetarët, sistem tatimor modern për tërheqjen e investimeve, investime në kapitalin njerëzor, zhvillimi i turizmit të qëndrueshëm dhe konkurrues dhe modernizimi i sistemit shëndetësor.
Mullaj vuri në dukje se turizmi mund të jetë një nga motorët kryesorë të ekonomisë, por duhet të zhvillohet në mënyrë të qëndrueshme.
“Turizmi duhet të sjellë të ardhura të mjaftueshme, jo vetëm numra të lartë vizitorësh. Kjo kërkon bashkëpunim midis industrisë, qeverisë dhe të gjithë aktorëve të tjerë,” tha ai./tvklan.al