Një ngjarje e rëndë ka ndodhur në orët e para të së shtunës në Itali kur ka humbur jetën një 24-vjeçar italian. Për vdekjen e tij janë arrestuar tre të rinj shqiptarë që dyshohen se vranë Filippo Liminin.

Sipas asaj që shkruajnë mediat, shqiptarët e kanë përplasur me një makinë tip “Opel Corsa”. Nuk mjaftoi vetëm përplasja, por mediat shkruajnë se makina i ka kaluar edhe njëherë sipër duke e lënë të vdekur në vend Liminin.

Ngjarja ndodhi në Bastria Umbra pranë parkingut të një lokali. Mësohet se të rinjtë kishin pasur një sherr me një grup italianësh. Ende nuk dihen arsyet e këtij konflikti.

Viktima: Filippo Limini

Drejtuesi i mjetit ka qenë një 19-vjeçar. Identitetet e tij dhe të shokëve të tij nuk janë bërë publik ende. Avokati i 19-vjeçarit ka treguar për mediat se ai nuk e ka kuptuar që e ka goditur të riun italian.

Sipas avokatit ngjarja ka ndodhur për motive banale. Ai ka sqaruar se shqiptarët do të sulmoheshin nga një grup tjetër të rinjsh dhe janë munduar të arratisen.

Mirëpo në përpjekje për t’u larguar 19-vjeçari nuk e ka parë Liminin dhe e ka përplasur. Pastaj kaloi mbi të me makinë. Këtë fakt ai nuk e ka kuptuar. Ka qenë një prej shqiptarëve që i ka thënë se mos ndoshta kanë kaluar mbi trupin e 24-vjeçarit.

Avokati ka treguar se kur karabinierët kanë shkuar në banesën e tij e kanë gjetur së bashku me prindërit, pasi shqiptari po i tregonte nënës dhe babait se çfarë kishte ndodhur./tvklan.al