Një operacion antidrogë është zhvilluar pas mesnate në Ampelia, Igumenicë ku janë arrestuar 4 shqiptarë. Gjatë kontrollit të ushtruar në kufirin greko-shqiptar u është gjetur 76 kg marijuanë.

Shqiptarët e arrestuar janë të moshës 20, 22, 30 dhe 41-vjeç, të cilët u kapën duke kaluar kufirin në këmbë e duke transportuar 4 çanta që përmbanin 47 pako me 76 kg 570 gram marijuanë. Gjithashtu u sekuestruan dhe 4 celularë.

Nga kontrolli në sistem, rezulton se dy prej të arrestuarve kanë masë ndalimi hyrje në Greqi dhe në zonën Shengen.

Njoftimi i plotë:

Një tjetër tentativë për trafik të lëndëve narkotike bie në rrjetën e bashkëpunimit mes Policisë së Shtetit dhe Policisë Greke.

Është finalizuar në orët e para të mëngjezit operacioni i koduar “Rrjeta”, i zhvilluar nga Policia e Shtetit në bashkëpunim me Policinë Greke.

Arrestohen në flagrancë 4 shtetas shqiptarë të cilët tentuan të transportonin lëndë narkotike në drejtim të shtetit grek.

Sekuestrohen 76 kilogramë Cannabis Sativa.

Si rezultat i bashkëpunimit mes Policisë Kufitare Sarandë, Policisë së Sarandës dhe Antidrogës së Igumenicës dhe Policisë Kufitare greke në afërsi të Igumenicës në vendin e quajtur ‘Ambelia’ janë kapur dhe ndaluar 4 shtetas shqiptarë me 4 çanta ku nga kontrolli rezultoi se kishin rreth 76 kg lëndë narkotike kanabis.

Operacioni ka nisur më parë nga Policia Kufitare e Livadhjasë Sarandë dhe Policia e Sarandës ku kanë marrë informacion se në drejtim të fshatit Janjar, disa persona po transportojnë lëndë narkotike në drejtim të shtetit grek.

Nga ana e Komisariatit të Kufirit në bashkëpunim me Seksionin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Sarandë janë organizuar shërbimet për goditjen dhe kapjen e këtyre personave.

Njëkohësisht është njoftuar menjëherë Policia greke dhe shefi i antidrogës Igumenicë.

Si rezultat i mirëorganizimit nga të dyja policitë, bashkëpunimit dhe koordinimit të veprimeve si dhe shkëmbimit të informacionit në kohë reale u bë e mundur që nga antidroga e Igumenicës rreth orës 02.30 të kapeshin në afërsi të Igumenicës personat e mëposhtëm :

K. L, 41 vjeç, lindur në Berat.

A.K, 30 vjeç, banues Piqeras Sarandë.

D. B, 22 vjeç, lindur në Lezhë, banues në Sarandë.

A.Z, 20 vjeç, lindur në Berat.

Nga të dyja Policitë vijon hetimi dhe shkëmbimi i informacioneve për të zbardhur dhe dokumentuar këtë rast si dhe identifikuar e arrestuar personat e tjerë të implikuar.

/tvklan.al