Avokati i njohur grek, Aleksandros Likurezos u vu në pranga pasditen e së premtes në Athinë, i akuzuar për implikim në të ashtuquajturën “Mafie e burgjeve”. Sipas burimeve mediatike, akuzat kundër tij janë për krijim organizate kriminale dhe shantazhim.

Arrestimi ka ardhur pasi më herët kolegë të tij, kishin deponuar se pak para vrasjes së avokatit Mihalis Zafeiropoulos në Tetor 2017, Likurezos kishte folur me të në telefon.

Siç kanë deponuar në gjyqin për çështjen Zafeiropoulos të paktën dy avokatë-dëshmitarë, Likurezos i kishte kërkuar kolegut që do të ekzekutohej më vonë nga dy shqiptarët, një shumë të madhe parash për llogari të “bosit” të “Mafies së Burgjeve”, siç është quajtur nga media, shqiptarit Klodian Lekocaj.

Avokatët kanë thënë se shuma e kërkuar ishte 2 milionë Euro. Lekocaj dyshohet të ketë qenë porositësi i intimidimit të Zafeiropoulos, vrasja e të cilit ishte pasojë e një aksidenti, siç ka pretenduar ekzekutori Mikel Brahimaj. Porosia ishte dhënë bashkë me Arbër Bakon, i cili u vra po me porosi të Lekocajt më 14 Janar të këtij viti në burgun e Koridhalo.

Një person me influencë të madhe në jetën publike greke, 85-vjeçari Aleksandros Likurezos është mjaft aktiv në profesionin e tij dhe klientët i ka kryesisht nga VIP-at e vendit.

Tv Klan