Policia: Arjol Halilaj largoi me makinë dy autorët e krimit

Ky është 29-vjeçari Arjol Halilaj, i arrestuar si bashkëpuntor i Redjan Rrajës në atentatin ndaj prokurorit të Durrësit, Arjan Ndoji në Nëntor të vitit të kaluar. Tv Klan ka siguruar foton ekskluzive të personit që u arrestua nga policia.

Nga informacionet për Arjol Halilajn dihet vetëm se banon në zonën e plazhit në Durrës, ndërsa burime nga grupi hetimor thanë se ka dyshime të forta se ai është vrasës me pagesë.

Nuk jepen detaje për precedentë penalë të mëparshëm, por dihet që tek 29-vjeçari Arjol Halilaj u arrit nga telefoni i Redjan Rrajës, i arrestuar për atentatin ndaj prokurorit të Durrësit Arjan Ndoji, në Nëntor të vitit të kaluar thanë burime të policisë për Tv Klan.

Është fjala për atentatin në mbikalimin e Shkozetit, ku nga breshëritë e armëve mbetën të plagosur Arjan Ndoji, prokuror i Durrësit, miku i tij, Aleksandër Laho dhe u qëllua për vdekje shoferi 24-vjeçar, Andi Maloku.

Në njoftimin që policia shpërndau për mediat qartësohet dhe roli i Arjol Halilajt në atentat. Ai konsiderohet bashkëpunëtori kryesor i autorëve të ngjarjes. Kur dy personat që qëlluan prokurorin e Durrësit braktisën makinën, ky shtetas i ka transportuar ata me mjetin e tij.

Mësohet se provë tjetër që përfshin 29-vjeçarin në ngjarjen e mbikalimit të Shkozetit janë edhe pamje të kamerave të sigurisë përgjatë autostradës.

Atentati ndodhi në 1 Nëntor të vitit tëkaluar rreth orës 16.13 minuta, ndërsa tre personat që u qëlluan me breshëri armësh ishin duke lëvizur me makinë.

Deri më tani, për ngjarjen ka qenë i arrestuar 34-vjeçari nga Nikla e Krujës, Redjan Rraja, ndërsa është gjetur mjeti që u braktis pas atentatit, një Benz dhe dy kallashnikovë, dy maska, një sasi lënde djegëse dhe sende të tjera.

Tv Klan