Dy amerikanë që dyshohet se kishin ngritur një laborator për prodhimin e drogërave sintetike në Tiranë, u vunë në pranga nga policia shqiptare.

Vincent De Caro 29 vjeç dhe shqiptaro-amerikani Arber Isaku, të dy lindur dhe banues në Nju Jork, mbaheshin nën vëzhgim prej 1 muaji pas një urdhë-arresti ndërkombëtar që kishte mbërritur në Tiranë vitin e kaluar. Ata u ndaluan në Morinë në tentativë për të dalë nga Shqipëria.

Në zbatim të letër porosisë të autoriteteve amerikane, si dhe pas vendimit të Gjykatës së Shkallës së Parë për Krimet e Rënda për zbatimin e saj, Departameti i Policisë Kriminale në Policinë e Shtetit në bashkëpunim me Prokurorinë e Krimeve të Rënda dhe DEA-n amerikane pas një pune të mirë organizuar finalizuan me sukses operacionin e koduar “Sintetiku”, ku u arrestuan 2 shtetas amerikane: Vincent (Dominic) De Caro, 29 vjeç, lindur dhe banues në New York, USA; Arber Isaku, 29 vjeç, lindur dhe banues në New York, USA.

Ndaj tyre, Gjykata e Connecticut, SHBA kishte vendosur masën e sigurisë “Arrest me burg” për veprën penale “Prodhim dhe shitje të lëndëve narkotike dhe substancave psikotrope” kjo vepër e kryer nëpërmjet ‘dark web’. Këta shtetas ishin nën hetim prej 1 viti nga DEA. Ata kishin krijuar bazë dhe fshiheshin në Tiranë, ku po përgatiteshin për të prodhuar drogë sintetike.”

Ekstazi dhe amfetamina që do të prodhohej, konsiderohet disa herë më e fortë se heroina. Këto lloj drogash sintetike kanë një efekt stimulant dhe japin një ndjesi mirëqenieje fizike dhe mendore, si edhe një valë euforie tek përdoruresit.

Laboratori ishte përshtatur në një apartament në rrugën e Kavajës, ndërsa arrestimi i dy të rinjve u bë në bashkëpunim edhe me DEA-n amerikane.

Tv Klan