Kontrollet e ushtruara në disa subjekte në Plazhin e Velipojës çuan në pranga dy punonjës të Bashkisë së Shkodrës, ndërsa një i tretë u shpall në kërkim. Bëhet fjalë për 3 inspektorë të Drejtorisë së të Ardhurave, të cilët akuzohen për shpërdorim detyre.

Të arrestuarit janë 32-vjeçari me iniciale B. P. dhe 63-vjeçari I. M. Ndërsa në kërkim u shpall 32-vjeçari D. H.

Sipas policisë, “këta persona në bashkëpunim me njëri-tjetrin, duke qenë në pozicionin e inspektorit të zbatimit në Drejtorinë e të Ardhurave në Bashkinë Shkodër, me anë të falsifikimit të dokumenteve kanë shpërdoruar detyrën dhe në këmbim të marrjes së ryshfetit në një subjekt (hotel) në plazhin Velipojë, kanë favorizuar këtë të fundit duke mos deklaruar numrin real të dhomave të këtij hoteli me qëllim mospagimin e taksës reale që përfiton Bashkia Shkodër”.

Një procedim penal në gjendje të lirë nisi edhe për pronarin e hotelit, 36-vjeçarin me iniciale P. A., për veprën penale “Fshehja e të ardhurave”./tvklan.al