Një 42-vjeçar, i dyshuar për vendosje eksplozivi në dy raste, është në vënë në pranga nga autoritetet policore të Vlorës. Bëhet fjalë për një person i cili ishte në kërkim dhe që sipas policisë dyshohet se qëndron pas dy ngjarjeve të ndodhura në vitin 2017 në Elbasan.

“Në vijim të punës intensive për kapjen e personave në kërkim, shërbimet e Policisë së Vlorës në bashkëpunim me Policinë e Elbasanit, bazuar në informacione në rrugë operative, në kuadër të operacionit “Eksplozivi”, në rrugën “Janaq Kilica”, kanë  bërë kapjen dhe ndalimin e shtetasit në kërkim A. S., 42 vjeç, banues në Tiranë“, thotë policia në një njoftim për mediat.

42-vjeçari dyshohet se në Maj të vitit 2017, në bashkëpunim me persona të tjerë, ka vendosur eksploziv poshtë një automjeti, si dhe në derën e një diskoje në Elbasan.

Ndaj këtij personi, i cili kohët e fundit fshihej në Vlorë, Gjykata e Apelit Durrës ka caktuar masën e sigurisë “Arrest në burg” për veprat penale “Shkatërrim prone me eksploziv” dhe “Mbajtja pa leje dhe prodhimi i armëve, armëve shpërthyese dhe municioneve”./tvklan.al