Operacioni për arrestimin e bosit të kriptomonedhave do të vijojë nga autoritetet shqiptare.

Dorëzohen autoritetet turke. 4 grupe me efektivë që kishin ardhur në Tiranë për kapjen e bosit të kriptomonedhave Faruk Fatih Ozer janë larguar nga vendi ynë duke u kthyer duarbosh në Turqi. Lajmi bëhet i ditur nga media Haber Global ku shkruhet se tashmë i mbetet në dorë policisë shqiptare për të vijuar operacionet për prangosjen e 27-vjeçarit.

Sipas Haber Global kërkimet janë përqëndruar në Tiranë ku besohet se qëndron i fshehur Ozer. Në shtypin turk thuhet se mashtruesi me bursën e kriptovalutës ndryshon vazhdimisht vendndodhje në kryeqytet ndërsa dyshohet se mund të ketë marrë edhe një pasaportë të re false.

Uniformat blu janë vënë në ndjekje edhe të personit që është shpallur në kërim për këtë rast, Edivaldo Haxhiu i cili priti 27-vjeçarin turk në aeroportin e Rinasit dhe e ndihmoi që të strehohej në zona të ndryshme të Tiranës. Haxhiu konsiderohet një nga personat kyç që do të ndihmojë në gjetjen e Ozer.

Nëse bëhet e mundur prangosja e tij, 27-vjeçari nuk do të përballet me drejtësinë shqiptare por do të ekstradohet menjëherë për në Turqi ku kërkohet që prej datës 20 Prill. Faruk Fatih Ozer akuzohet për mashtrim me 2 miliardë dollarë në bursën Thodez që ai kishte krijuar dhe ku kishin investuar rreth 400 mijë persona.

Klan News