Këtë të dielë besimtarët katolikë dhe ata ortodoksë festojnë Pashkën. Kjo është hera e parë pas 10 vitesh që Pashka Ortodokse dhe ajo Katolike festohen në të njëjtën ditë. Mirënjohja, besimi dhe dashuria për Zotin e sakrificën e Jezusit kremtohen në këtë ditë të shënuar.
Në vigjilje të Pashkës, Imzot Arjan Dodaj i ftuar në “Aldo Morning Show” në Tv Klan tregoi rëndësinë e Pashkës. Sipas tij thelbi i kësaj feste fetare është shumë ekzistencial.
“Theksi i festës së Pashkëve është shumë ekzistencial sepse është dhe arsyeja se përse ekziston lindja e Jezusit. Nuk do të kishim arsye që të kremtonim lindjen, pra Krishtlindjen pa ndodhur Pashka. Jezusi vjen midis nesh duke marrë natyrën tonë njerëzore, sepse njeriu me forcën e vet fatkeqësisht është si i ndrydhur brenda një burgu të përjetshëm, që quhet vdekja. Përballë këtij misteri Jezusi duke marrë natyrën tonë njerëzore, pra hyj dhe njeri, e ka mundur vdekjen. Na ka shpalosur si ky diell sot, krejt dritën e pasosur”, tha Imzot Arjan Dodaj.
Arqipeshkvi i Dioqezës Tiranë-Durrës, Imzot Arjan Dodaj u ndal edhe tek kuptimi i “Udhës së Krishtit” në të Premten e Madhe, e cila bëri bashkë mbrëmjen e djeshme qindra besimtarë. Një rrugëtim me 14 ndalesa, “Udha e Kryqit” përkujton mundimet dhe torturat e Jezus Krishtit deri në momentin e kryqëzimit.
“Mbrëmë Udha e Kryqit kishte një veçori, sepse ishin meditime të përgatitura nga njerëz që vuajnë dënimin në kontekste të ndryshme. Duke sjellë në pah forcën e pendimit, por dhe të kultivimit e shpresës që mbajnë në vete, që me të vërtetë mund të ndryshojnë, ka shpresë të ndryshojnë dhe kjo është shpresa më e madhe. Është bukur që t’u japim zë atyre që nuk kanë zë. Edhe ata që shohim jashtë mendojnë se kanë zë, por në të vërtetë ndërgjegja e tyre është e burgosur. Ndërgjegja e shumë të rinjve, e shumë atyre që aspirojnë për një të ardhme më të bukur”, përfundoi Imzot Arjan Dodaj./tvklan.al