Ndryshe nga një vit më parë, të gjithë maturantët që do të ndjekin vitin akademik 2017-2018, mund të regjistrohen dhe çregjistrohen automatikisht nga një program studimi që del fitues në një nga 10 degët e preferuara.

Kjo mundësi që u jepet maturantëve pritet t’i japë fund dhe amullisë që u shkaktua një vit më parë. 

Tv Klan mëson se Ministria e Arsimit do e pranojë këtë kriter te vendosur automatikisht nga Universitetet.

Madje më herët edhe ministrja e Arsimit në takimet me maturantët në vend ka pranuar që do e merrte në shqyrtim këtë kriter.

Udhëzimi i ri për pranimet në Universitete pritet të miratohet brenda kësaj jave.

Një udhëzim i  një viti më parë nga Ministria e Arsimit,  maturantët  që rezultonin fitues në një degë të caktuar, nuk mund të çregjistroheshin për t’u pranuar në një tjetër degë  në raundin e dytë apo të tretë të regjistrimeve.

Për dekanët e fakulteteve ky udhëzim ishte një cënim që u bëhej maturantëve në të drejtën e tyre për të zgjedhur një nga 10 degët më të preferuara.

Ligji i arsimit të lartë i jep të drejtë fakultetit që të vendosë në autonomi të plotë kriteret e pranimeve.

Tv Klan