Ekspertët: Efekt kryesor rigjallërimi i tregtisë

Në dy javët e fundit monedha kombëtare është zhvlerësuar përballë valutave duke iu afruar kuotës 124 lekë me euron dhe 103 lekë me dollarin amerikan.

Ky është një ekuilibër i ri që po vendoset sidomos në raportin euro/lek, ndryshe nga vlera 122 që kushtonte në tregun e këmbimit vendas monedha europiane përgjatë gjithë vitit të shkuar.

Ekspertët e ekonomisë e shohin këtë tendencë të lidhur ngushtësisht me zhvillimet në tregjet ndërkombëtare.

Enriko Cenko, thotë se javët e fundit ka patur një rritje të euros në bursa, kjo edhe për shkak të rritjes së çmimit të ushqimeve në vendet prodhuese dhe rritjes së inflacionit në disa shtete kryesore europiane.

“Për shkak se viti që kaloi ka qenë një vit i vështirë për prodhimin e ushqimeve në botë, kryesisht prodhimeve që vijnë nga sektori i bujqësis. Mund të mendohet që kjo është një tendencë e lehtë inflancioniste, por duhet të presim se si do të vazhdoj kjo në lidhje me mallrat industrial.”

Por edhe faktorët vendas nuk kanë qënë të pakët thonë ekspertët.

Në dy muajt e parë të vitit kemi parë një rigjallërim të tregtisë dhe rritjes së eksporteve të cilat kërkojnë valutën e huaj, ndërsa shumë kompani kanë rinisur investimet në makineri.

Edhe tregu i pasurive të patundshme ka patur lëvizje në këtë periudhë, ku shit-blerjet e pronave bëhen zakonisht në euro.

“Për shkak të Covid, prurjet e emigrantëve në Shqipëri nuk kanë qenë në nivelin e mëparshëm, që do të thotë që oferta për monedhë të huaj ka qenë më e ulët.”

Dollari amerikan shitet me 102.3 lekë, ndërsa euro me 123.6. Rritje ka patur edhe paundi britanik i cili i është afruar kuotës 143 lekë.

Klan News