Trajneri i ri i Mançester United, Erik ten Hag, luajti një rol vendimtar në fatin e Ralf Ragnikut në klub. Holandezi nuk kishte dëshirë që të punonte me gjermanin, që pas detyrës së trajnerit të përkohshëm do të merrte atë të konsulentit te “Djajtë e kuq” në përfundim të sezonit.

Rangnik priste që të kishte një takim me Ten Hagun, ku do të diskutonin për të ardhmen e klubit, por i pari e bëri të qartë se me të ishte gati vetëm të komunikonte nëpërmjet telefonit, raporton ESPN.

Ai kishte sugjeruar që në ekip të bëheshin 10 blerje. Kjo bëri që drejtuesit e klubit të vendosnin që të ndërprisnin lidhjet me gjermanin, duke i dhënë fund bashkëpunimit mes palëve me dakordësi të përbashkët.

Një tjetër shqetësim i drejtuesve ishin deklaratat e bëra nga Rangnik në media, ku ai kritikonte gabimet në merkaton e janarit. Nën drejtimin e Rangnikut, United e mbylli sezonin me 58 pikë, rezultati më i dobët ndonjëherë, ndërsa nga 29 takime, ekipi fitoi vetëm 11. Tani 63-vjeçari është i përqendruar vetëm te kombëtarja e Austrisë, ku ka marrë detyrën e trajnerit.

Klan News