Në Mars të vitit 2011 në Tv Klan u shfaq për herë të parë një serial turk i titulluar “Gymysh”.  Seriali u kthye menjëherë në hit dhe aktorët kryesorë të serialit Kıvanç Tatlıtuğ dhe Songül Öden u bënë aq të famshëm saqë kur aktorja turke u shfaq si e ftuara speciale e natës finale të “Këngës Magjike” atë vit, publiku nuk reshte dot së brohorituri. Historia idilike e dashurisë së Gymyshit me Mehmetin do të ishte vetëm e para që gozhdoi mijëra shqiptarë përpara ekranit të TV Klan. Në 2012-ën “Ezel” solli një koncept krejt të ri.

Subjekti i bazuar tek kryevepra e letërsisë “Konti i Monte Kristos”, karakteret e ndërtuara deri në detaje, kasti i përzgjedhur, skenari plot sentenca të paharrueshme dhe skenat e aksionit të realizuara në mënyrën më precize bënë që Ezel të shndërrohej në një fenomen të vërtetë.

Të ndjekura në më shumë se 90 shtete të botës, industria turke e serialeve gjeneron çdo vit deri në 450 milionë dollarë. Kështu është hapur një luftë mes 85 kompanive të mëdha për të realizuar produksione të cilësisë sa më të lartë duke investuar sa të jetë e nevojshme, flasim për buxhete deri në 500 mijë dollarë për një episod. Serialet e përzgjedhura nga Klan janë disa nga më të vlerësuarat e industrisë turke dhe që kanë arritur rekorde audience në shumë vende të botës. Aq të famshëm saqë Netflix, kompania e famshme për transmetimin online të serialeve amerikane të blinte të drejtat për t’i transmetuar serialet turke në të gjithë botën.

Duket se ajo që e ka joshur më shumë publikun e huaj dhe shikuesit shqiptarë është se krijuesit e këtyre serialeve kanë ditur të kërkojnë përtej historive të zakonshme të dashurisë që ishim mësuar të shikonim nëpër telenovela. Drama familjare, krim, aksion dhe zhanri më i ri që ka bërë për vete shikuesit e Tv Klan, serialet historike. Pas suksesit të sulltaneshës “Kosem” dhe “Mehmet Pushtuesit”, “Kryeqyteti Abdylhamid” është sepali më i ri historik në Klan. Më tepër se sa intrigat, padyshim magjepsëse të oborrit perandorak, shumë prej ngjarjeve të serialit bazohen në fakte historike. Dhe që të realizosh një serial për një personalitet kaq imponues siç ka qenë Abdylhamidi duhet së pari të ndërtosh nga hiçi gjithë qendrën e kryeqytetit Abdylhamid. Në këtë episod emisioni “Jo vetëm modë” ishte zhvendosur në Stamboll për të na treguar të gjithëve nga afër prapaskenat e xhirimeve të serialeve turke.

Albert Dumani, drejtori i Programacionit dhe blerjeve në Tv Klan prej vitesh ndjek nga afër prezantimet e serialeve më të reja të industrisë turke për të përzgjedhur jo vetëm ata që kanë më tepër gjasa të jenë të suksesshëm, por edha ata që ngjarjet i përcjellin në mënyrën më reale. E në fakt shumë prej vendeve ku janë xhiruar serialet hit të Tv Klan janë përkujtimore historish të vërteta të aktorëve më të dashur për shqiptarët. Sot në emisionin “Jo vetëm modë”, Albert Dumani zbuloi prapaskenat e serialeve turke më të ndjekur në Tv Klan.

“I gjithë qyteti është improvizuar si në vitet e Abdylhamid. Në qytetin e improvizuar ka gjithçka, duke filluar nga teatri, kafeteritë apo dyqanet. Kryesisht ndërtesat janë fasada dhe të ndërtuara me polesterol. Është ndërtuar edhe një stallë kuajsh, ku janë bërë edhe xhirime të cilat publiku do t’i shohë në Tv Klan. Pallati dhe ballkoni i sulltanit shfaqet madhështor në ekran. Publiku në ekran sheh komplet gjë tjetër, ndërsa ne e shohim bruto ashtu siç është. Shtëpitë të cilat kanë qenë sheshxhirime për serialet janë kthyer në destinacione turistike për mijëra turistë. Vila e Elifit të serialit “Diamante dhe Dashuri” aktualisht është e banueshme nga gruaja e një manjati të famshëm turk. Ajo e dha vilën me qira për 16 muaj, kundrejt pagesës 40 mijë euro për muaj. Ajo madje edhe garderobën e saj e la në shtëpi në mënyrë që Elif ta përdorte. Përballë shtëpisë së Elifit është edhe kështjella e Xhihanit dhe Dilarës në serialin “Fare të kryqëzuara”. Flitet që vila mund të jetë dhënë me qira për 80 mijë euro në muaj dhe sot është e pabanueshme”,

tha Dumani.

/tvklan.al