Nga 5 planet e vetme urbanistike në historinë e Tiranës, ai ka qenë pjesë e projektimit të 4 prej tyre.

Urbanist prej 40 vitesh në bashkinë e kryeqytetit, në shkurt,  Gjergj Papavasili u vlerësua me titullin “Simbol i Tiranës”, në shenjë mirënjohje nga kryebashkiaku Erion Veliaj.

Punonjësi më jetëgjatë i institucionit, nisi punë në vitin 1980, atëherë kur bashkia ende njihej si komiteti ekzekutiv.

Që atëherë, bashkia e Tiranës është drejtuar nga 11 kryebashkiakë, por Gjergj Papavasili ka qenë përherë aty, në zyrën e urbanistikës dhe sot, në “Jo vetëm modë”, rrëfen gjithë prapaskenat e shndërrimit të kryeqytetit në Tiranën ku jeton sot.

Kur vajta në zyrë për herë të parë pashë disa arkitektë, të cilët ishin të rinj në moshë, por mua mu dukën shumë të vjetër. Më e vjetra aty kishte 5 vjet punë dhe mendova nëse do mund të qëndroja dhe unë aq gjatë. Kur shoh pas tani… Në atë kohë Tirana nuk kishte një plan rregullues, ato hartohen një herë në 20 vjet. Plani i parë është bërë në vitin 1920, u bë nga italianët. Ishte një plan shumë i rregullt. Plani tjetër u miratua në 1990-ën dhe mua më ftuan të marr pjesë. Ai plan nuk parashikonte gjithë këtë zhvillim të transportit, u gjendëm të papërgatitur. Në 2008-ën u bë një tjetër plan. U ripa në 2013-ën dhe sërish në 2017-ën. Jam munduar të jem profesionist, të mos ndikohem nga faktorë të tjerë. Me Sali Kelmendin kam pasur marrëdhënie shumë të mira, ishte bashkëpunues. Pastaj kam punuar me Ramën, ishte bashkëpunues dhe shumë kërkues. Nuk e prisja ngjyrosjen e Tiranës, isha mësuar me një situatë më njëngjyrëshe. Më pas erdhi Lulzim Basha, filloi me planin e ri, ai merrte pjesë në diskutime. Erion Veliaj është dëgjues shumë i mirë dhe shumë kërkues. Unë kam qenë kundër ndërtimit të dy kullave në bulevard, por nuk më dëgjuan. Qendra e Tiranës që kohë më parë ka qenë projektuar si pedonale

”, tha Papavasili.

Ne vitin 1993 bashkëshortja Teuta, hapi një studio projektimi, ku tashmë janë të angazhuar edhe dy fëmijët e tyre. Kjo familje e pazakontë ku të gjithë janë arkitektë, duket se nuk kalon asnjë ditë pa debate profesionale. Nga ana tjetër, është pikërisht pasioni për arkitekturën ai që i ka mbajtur të bashkuar që prej fillimeve.

/tvklan.al