Presidenti i Republikës, Ilir Meta, dha si arsye të mosdekretimit të Sandër Lleshit si Ministër i Brendshëm në propozimin e parë të bërë nga kryeministri, faktin se ai ishte ushtarak i shërbimit aktiv.

Vetë Lleshi i sqaroi nëpërmjet një letre drejtuar kreut të shtetit, se ai nuk e kishte këtë status, pasi ishte larguar nga funksioni në forcat e armatosura me dekret presidencial dhe për ta rifituar statusin e ushtarakut aktiv i duhej po një tjetër dekret nga Presidenti, gjë që nuk ka ndodhur deri tani.

Lleshi kishte fituar gjyqin me Ministrinë e Mbrojtjes për rikthimin në detyrë, por nuk ishte kthyer asnjë dite të vetme në funksionet e tij ushtarake. Një rast i ngjashëm, por kur Presidenti ka vepruar ndryshe nga sa ndodhi me Sandër Lleshin, është emërimi i kolonel Dritan Demirajt në postin e ministrit të Brendshëm.

Kolonel Demiraj u dekretua si Ministër teknik nga Presidenti Bujar Nishani me 22 maj të vitit 2017. 1 muaj para marrjes se kësaj detyre, me 23 Prill të vitit që shkoi, ai fitoi gjyqin kundër Ministrisë së Mbrojtjes që e kishte larguar nga detyra dhe Gjykata vendosi që ai të kthehej si kolonel aktiv në Forcat e Armatosura.

Sot me rastin e rikthimit si kolonel aktiv në FA, kam dëshirë të ndaj me ju disa mesazhe…E drejta vonoi pak, por më në fund u vu në vend, shkruante Demiraj me 23 Prill.

” Por megjithëse gjykata urdhëroi kthimin e tij në detyrë si ushtarak i shërbimit aktiv, Presidenti Bujar Nishani e dekretoi si ministër, pasi Ministria e Mbrojtjes nuk e ktheu asnjëherë në detyrën që i takonte sipas vendimit të gjykatës, ç’ka do ta bënte atë realisht një ushtarak aktiv.

Edhe në atë kohë, Kushtetuta kishte të njëjtin nën në fuqi, që ndalonte që një ushtarak i shërbimit aktiv të kandidojë apo të zgjidhet ministër, apo deputet pa hequr dorë më parë nga detyra.

Sandër Lleshi dha të njëjtat argumente në letrën drejtuar Presidentit, duke theksuar se ai nuk e kishte ushtruar asnjë ditë funksionin e ushtarakut, që nga momenti që ishte shkarkuar nga detyra, pavarësisht vendimit të gjykatës. Lleshi i sqaron Presidentit të Republikës se ai heq dorë edhe nga karriera e tij ushtarake dhe se aktualisht ai ka statusin e të liruarit nga shërbimi aktiv ushtarak dhe se tashmë, nuk ka asnjë pengesë ligjore që të përmbushet funksioni kushtetues i emërimit të Ministrit te Brendshëm.

Tv Klan