Prefekti i Kukësit, Zenel Kuçana, ka mbyllur të martën çështjen Gafurr Mazreku, duke refuzuar të firmoste kërkesën e Këshillit Bashkiak të Hasit për dhënien e titullit “Qytetar Nderi”.

Ish-deputeti socialist Gafurr Mazreku plagosi Azem Hajdarin në Parlamentin e Shqipërisë në dhjetor të vitit 1997.

Pasi u shqyrtua me kujdes kërkesa e Këshillit Bashkiak për dhënien e titullit “Qytetar Nderi” për Gafurr Mazrekun, prefekti Kuçana tha se “

vendosa të mos e konfirmoj këtë vendim pasi bie ndesh me ligjin 112 të vitit 2013 për dekoratat, titujt e nderit dhe titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë

”.

Prefekti se një person, që të shpallet qytetar nderi, duhet të mos jetë dënuar më parë për shkelje të rëndë të ligjit dhe nuk duhet të jetë nën hetim.

Kuçana i kërkoi Këshillit Bashkiak të jetë i kujdesshëm dhe të respektojë ligjet në rastet e propozimeve për shpalljen qytetar nderi të personave të caktuar.

Një ditë më parë Kryeministri Edi Rama e ka quajtur “provokim të papërgjegjshëm” të kujtdo që e ka propozuar dhe ka miratuar vendimin e Këshillit Bashkiak të Hasit për t’i dhënë titullin ‘qytetar nderi’, ish-deputetit socialist Gafurr Mazreku, i cili 21 vite më parë plagosi me armë në parlament Azem Hajdarin.

Kryeministri tha se i kishte kërkuar Prefektit të Kukësit të refuzojë firmosjen e atij vendimi, duke thënë se në mbledhjen e grupit parlamentar e kishte dënuar këtë shfaqje të shëmtuar, ndonëse sipas tij këshilltari i vetëm i Partisë Socialiste nuk kishte votuar pro vendimit.

Reagimi i Kryeministrit erdhi pas akuzave të Partisë Demokratike që tha se Edi Rama është urdhërdhënësi dhe frymëzuesi i këtij vendimi. Por Partia Demokratike iu përgjigj sërish qëndrimit të Kryeministrit, duke thënë se Edi Rama nuk mund të fshihet pas firmës së prefektit dhe se për t’u distancuar nga ky akt duhet të shkarkojë kryetarin socialist të Bashkisë së Hasit.

/tvklan.al