
Prej 27 vitesh punon qilimat, Suzana nga Elbasani: Ma mësoi gjyshja, tani i kërkojnë shumë
E mësoi që e vogël prej gjyshes, Suzana Hoxha nga Elbasani merret me punimin e qilimave prej 27 vitesh. Në një intervistë për “Jo Vetëm Modë”, Suzana tregon se pasioni i saj është kthyer në një punë të rregullt, çdo ditë.
Ajo ka realizuar qindra modele të qilimave në punishten e saj të vogël, dhe thotë se njerëzit tani po i kërkojnë shumë punimet tradicionale.
Orinda Huta: Zana, para punës tënde! Prej sa vitesh tashmë?
Suzana Hoxha: Unë kam 27 vite që merrem me këtë punë.
Orinda Huta: Kush ta ka mësuar për herë të parë?
Suzana Hoxha: Që e vogël e kam mësuar, nga gjyshja ime, mami. Më përpara ka qenë tezgjahu i vogël, e mësova me gjyshen.
Orinda Huta: Prej familjes filloi gjithça, pasioni yt dhe puna. Si ka vijuar këto vite, ka pasur ndërprerje, ka pasur momente që njerëzit janë shkëputur nga tradita?
Suzana Hoxha: Një kohë ra fare, sepse dolën tapetet. Ndërsa tani kanë filluar shumë të kërkohen qilimat. Ky është 100% lesh deleje, e ka tjerrë fabrika, e kam marrë unë dhe s’ka asnjë lloj kimikati.
Orinda Huta: Po për çfarë i kërkojnë më shumë?
Suzana Hoxha: I kanë qejf edhe për shtëpitë e reja, sepse po hapen bujtina dhe po i kërkojnë sa më shumë punimet tradicionale.
Orinda Huta: Nuk shkëputesh asnjëherë?
Suzana Hoxha: Nga ora 7 e mëngjesit, deri në 2 e gjysmë të drekës./tvklan.al