Prej 5 vitesh pa asnjë gjurmë, nëna e 4 fëmijëve tregon si iu zhduk burri


Prej 5 vitesh pa asnjë gjurmë, nëna e 4 fëmijëve tregon si iu zhduk burri

14:21 08/09/2020

Programi “Historia ime” në Tv Klan solli ditën e sotme historinë e vështirë të nënës së 4 fëmijëve. Sabrie Nuredini rrëfeu në studio vështirësitë dhe problemet që i është dashur të përballojë gjatë jetës së saj.

Në vitin 2008, ajo u martua me dashuri dhe nga martesa e tyre lindën 4 fëmijë. Kushtet ekonomike e detyruan bashkëshortin që të ikte të punonte në Maqedoni. Ai shkonte dhe vinte vazhdimisht në familje dhe gjatë kohës që qëndronin larg njëri-tjetrit komunikonin përmes telefonit.

Por para 5 vitesh, Sabrie humbi çdo kontakt me bashkëshortin dhe që atëherë nuk ka asnjë lajm prej tij.

Mirela Milori: Je nënë e 4 fëmijëve?

Sabrie Nuredini: Po!

Mirela Milori: Më the që ke 5 vjet që nuk ke kontakt me bashkëshortin?

Sabrie Nuredini: 5 vjet, nuk kam patur asnjë kontakt, e kam kërkuar dhe tek emisioni “Pa gjurmë”. Me polici, kam shkuar kam bërë denoncimin se ka humbur, nuk e kanë gjetur.

Mirela Milori: Nuk ke asnjë kontakt me bashkëshortin?

Sabrie Nuredini: Jo!

Mirela Milori: Kur je martuar?

Sabrie Nuredini: Jam martuar në 2008, në 10 Janar. Atëherë kam ardhur këtu në Tiranë, prej këtu ikëm pastaj në Dibër, se nuk kishim ku të rrinim, ishim me qira.

Mirela Milori: Martesa ishte me dashuri apo me mblesëri ?

Sabrie Nuredini: Me dashuri!

Mirela Milori: Sa vjeç ishe ti? Sa vjeç ishte ai?

Sabrie Nuredini: Unë isha 28 vjeç, ai ishte një vit e 8 muaj më i vogël se unë, ai ishte 26.

Mirela Milori: Erdhën në jetë 4 fëmijë?

Sabrie Nuredini: Po!

Mirela Milori: Sa djem e vajza ke?

Sabrie Nuredini: 2 djem dhe 2 vajza!

Mirela Milori: Sa vjet ndenjët bashkë martuar?

Sabrie Nuredini: 7 vjet!

Mirela Milori: Pas 7 vjetësh, ai largohet në Maqedoni? Pse?

Sabrie Nuredini: Po shkoi për të punuar atje, çoban.

Mirela Milori: Kontaktoje me të?

Sabrie Nuredini: Po bisedonte çdo ditë, interesoheshe për fëmijët. Pastaj në 25 Janar shkëputi kontaktin dhe s’u bë i ditur më.

Mirela Milori: Sa kohë kishte që punonte në Maqedoni?

Sabrie Nuredini: Po kishte, gjithmonë atje shkonte. Erdhi për Vitin e Ri, ndenji 5 ditë edhe shkoi. Në datë 6-7 shkoi. Edhe ndenji 2 javë fliste në telefon, pastaj mbas dy javësh që iku shkëputi kontaktet.

Mirela Milori: Fillove të shqetësoheshe besoj?

Sabrie Nuredini: Po! Mbas dy ditësh më ka marrë pronari në telefon dhe më tha nuk është këtu, mos ka ardhur në shtëpi. Jo i thashë s’ka ardhur lajmëro policinë.

Mirela Milori: Gjatë këtyre 5 viteve ke patur ndonjë telefonatë?

Sabrie Nuredini: Jo fare asnjë gjë.

Mirela Milori: Ti çfarë mendon që ka ndodhur?

Sabrie Nuredini: Nuk e di, unë besoj mos i ka ndodhur diçka, se ai nuk rrinte larg kalamajve. Sido që të ishte puna ai vinte, nuk rrinte. Ishte shumë i dhënë pas kalamajve./tvklan.al



Të ngjashme