Një burrë, i cili u shpërngul në një shtëpi të re gjeti një kufomë të vdekur 6 muaj më herët, të fshehur në një kuti poshtë shtratit. I zoti i ri i shtëpisë në Indi kishte punësuar njerëz për t’a pastruar dhe ishin pikërisht këta të fundit që zbuluan kufomën. Apartamenti, që ndodhej në katin e tretë, në një ndërtesë në qytetin e Bhopal, u ble nga Ramvir Singh Rajput në Korrik të 2018-s.

Ai nuk kishte mundur të futej më herët në shtëpinë e tij të re, pasi pronarët e mëparshëm kishin kërkuar më shumë kohë për t’u shpërngulur, përpara se të zhdukeshin, duke e lënë pronën të kyçur.

Pas disa muajsh që përpiqej të kishte akses në apartament, Rajput më në fund arriti të merrte një kopje të çelësit. Të dielën, ishin pastruesit ata që shkuan në pronë, të cilët u tmerruan kur zbuluan kufomën e mumifikuar. Autoritetet konfirmuan se trupi i përkiste pronares së mëparshme, Vilma Shrivastava. Djali i saj Amit, 32-vjeç, i cili jetonte me të, është shpallur tashmë në kërkim.

Sipas policisë atje, trupi i Shrivastava u gjet në një kuti, i mbështjellë me çarçafë e rroba. Ndonëse policia beson se trupi i gruas qëndronte aty prej 6 muajsh, kufoma nuk ishte dekompozuar, por ishte mumifikuar pasi çarçafët dhe dysheku kishin thithur lëngjet e trupit.

Autoritetet lokale tashmë po punojnë për të gjetur të birin e viktimës, të cilin e cilësuan “me çrregullime mendore”. Shkaku i vdekjes së gruas nuk është bërë ende i ditur, megjithatë policia nuk e përjashtoi mundësinë se ajo mund të jetë vrarë.

/tvklan.al