Qarkullimi i variantit Delta rriti numrin e infektimeve në Korrik

Që prej 26 Qershorit asnjë person nuk ka humbur jetën në Shqipëri nga COVID-19.

Megjithatë sipas Ministrisë së Shëndetësisë që prej nisjes së pandemisë në vendin tonë janë regjistruar 2,456 viktima nga koronavirusi.

Ndërkohë infektimet e reja nga COVID-19 pësuan një rritje të ndjeshme në javën e tretë të Korrikut. Nga 19  deri më 25 Korrik numri i infektimeve ditore arriti totalin e 167 personave, 43 prej të cilëve u evidentuan vetëm të martën e 20 Korrikut.

Sipas Ministrisë së Shëndetësisë, deri pasditen e 25 Korrikut janë 280 persona aktiv me koronavirus në 11 qarqe të vendit, prej të cilëve disa pacientë po marrin trajtim mjekësor në spitalin Infektiv.

Deri më tani i vetmi qark që nuk ka asnjë të infektuar aktiv në territorin e tij është Dibra.

Ekspertët e Institutit të Shëndetit Publik ia atribuojnë rritjen e rasteve pozitive edhe qarkullimit të variantit Delta i cili u konfirmua zyrtarisht të dielën e 25 Korrikut.

Klan News