Olta Boka është një nga ata personazhe që siç e thotë edhe vetë, bën tërheqje të qëllimshme nga vëmendja. Kjo jo pa arsye, por sepse kërkon të tregojë diçka të re sa herë që zgjedh të bëhet pjesë e intervistave për të mos u shndërruar në monotone.

E ftuar sot në emisionin “Rudina” në Tv Klan, këngëtarja e njohur zbuloi të gjitha risitë e fundit në jetën e saj. Shtatzënia, ardhja në jetë e vajzës, Gaias dhe më pas realizimi i dy projekteve të ëmbla që kanë qenë prej kohësh në planet e saj, dy dedikimeve publike që mbajnë emrat e dashurive të saj të përjetshme. “Për Ty” është projekti muzikor dedikuar bashkëshortit të saj, Ivi Rrokajt për ditëlindjen e tij më 1 Korrik dhe “Gaia”, emërtimi i të cilit s’ka nevojë për një koment.

Në rrëfimin e saj lidhur me detajet e të dyja këngëve, për ata që kanë qenë të vëmendshëm gjatë dëgjimit të tyre, Olta zbulon disa hollësi që kanë përcaktuar disa nga pikat më kyçe të projekteve.

Olta Boka: Zakonisht nuk jam shumë objektive për të gjitha materialet e të gjitha këngëve që kam nxjerrë, por nuk e di pse, ndoshta duke qenë se bëhet fjalë për një dedikm për njerëzit e mi të zemrës, sa herë i dëgjoj, shkrehem në lot sepse them “Faleminderit Zot që arrita ta konkretizoja dhe realizoja dëshirën që mbaja prej kohësh”. Po t’i rikthehem klipeve, dua të them që zëri i bebit është zëri i Gaias dhe Gaia ka regjistruar në studion e Adrian Hilës dhe i jam shumë mirënjohëse për dhuratën e mrekullueshme që më ka bërë.

Ndërkohë edhe në klipin tjetër, jemi munduar që çdo gjë të jetë shumë afër gjësë së vërtetë. Edhe çifti, përveçse jemi munduar që të gjejmë të ngjashmit tanë, është veshur me rrobat tona të cilat kanë qenë të përdorura në një sesion fotografik në periudhën kur unë isha shtatzënë. Pra jemi munduar që të dyja kripet të kishin doza vërtetësie, të kishin doza nga jeta ime. Janë bërë në një kohë shumë të shkurtër dhe të shpejtë, sepse të dyja janë realizuar për një ditë, ka qenë një gjë shumë intensive, por ia kemi dalë për të sjellë një gjë të bukur./tvklan.al