Shtyhen pagesat për shkak të pandemisë

Qeveria do të prekë sërish pagesat e disa koncesioneve dhe do të shkurtojë shpenzime operative e kapitale për të mundësuar paketën e zgjeruar financiare për bizneset.

Në një intervistë me Skype për televizionin Klan, ministrja e Financave Anila Denaj thotë se janë duke u negociuar shtyrjet e pagesave për disa kontrata koncesioni dhe po ashtu po shihet mundësia e shtyrjes së afateve dhe për disa projekte investimesh publike. Në këtë paketë nuk janë prekur pagat e administratës.

Bizneset e vogla do të nisin të kenë në llogaritë e tyre që prej datës 20 të këtij muaji mbështetjen financiare prej 40 mijë Lekësh për çdo të punësuar. Aktualisht është duke u hartuar procedura se si ata do të aplikojnë për të marrë këtë përfitim.

Shumën 40 mijë Lekë do ta përfitojnë vetëm 66 mijë persona që janë pushuar nga puna në kompanitë e mëdha. Denaj thotë se aktualisht numri i të papunëve të rinj është më i ulët, por buxheti është bërë më i lartë për t’i paraprirë rasteve që mund të ketë ditët në vazhdim.

Anila Denaj thotë se shtyrja e pagesës së tatimit mbi fitimin dhe zgjerimi i garancisë sovrane edhe për likuiditet, përveç pagave, do të frenojë shkarkimet nga puna në sipërmarrjet e mëdha.

Në total buxheti i shtetit jep në paketën e dytë 15 miliardë Lekë garanci sovrane dhe 7.05 miliardë ndihmë direkte për kompanitë e vogla dhe të papunët.

Tv Klan