LSDM-ja paralajmëron barazi gjinore në lista

Duhej të vinte 8 Marsi, dita ndërkombëtare e gruas, dhe të afrohen zgjedhjet, që politikanët vendas, duke ua uruar festën, sërish të premtojnë se në të ardhmen do të ofrojnë kushte shumë më të mira për përmirësimin e jetës së grave, për barazi gjinore në politikë dhe në biznes , por edhe shërbime më të mira shëndetësore.

“Për herë të parë ne kemi bërë marrëveshje politike se në çdo njësi zgjedhore do të kandidojmë si tandem, do të kandidojmë si kombinim i burrit kandidat dhe gruas kandidate…Duam ta përcjellim porosinë jo vetëm vizualisht por edhe politikisht – se për t’u ndryshuar shteti për mirë të gjithë janë të nevojshëm”, u shpreh Radmila Sheqerinska, ministre e Mbrojtjes.

Atë që qytetarët e presin prej moti, lideri i LSDM-së, me rastin e 8 Marsit, e premton për në të ardhmen.

 “Për kujdes më të madh të shëndetit të grave formuam klinika gjinekologjike mobile në rajonet rurale dhe komunat më të vogla që nuk kanë gjinekologë, kemi përfshirë ekipe polivalente në kuadër të shërbimeve të patronazhit për edukim dhe mbrojtje të shëndetit të grave”, u shpreh Zoran Zaev.

Pikërisht për shëndetësinë në Maqedoninë e Veriut, shumë premtime për spitale të reja, cilësi dhe dixhitalizim, sot ofroi edhe lideri i opozitës, Hristijan Mickoski, diçka që qytetarët e presin prej moti.

 “Angazhohemi për ripërtërirje në të cilën do të përfshijmë shëndetësi pa letra, heqjen e recetave dhe shërbime vetëm me letërnjoftim. Kjo nënkupton dixhitalizim të plotë të recetave, udhëzimeve, raporteve dhe rezultateve. Sistemi do të dixhitalizohet në të gjithë sektorët”.

Në lidhje me zgjedhjet e ardhshme, Mickoski sot përsëriti se veten e sheh si vetëm si kandidat për kryeministër në qeverinë e ardhshme, dhe se për emrat e bartësve të listave për deputetë opinioni do të duhet të presë deri të martën. Zoran Zaev pohoi se ai dhe Sheqerinska do të jenë bartës të listave të kandidatëve në dy njësi zgjedhore. Për personat tjerë nga LSDM-ja së pari duhet të vendosin organet e partisë, dhe më pas të njoftohet opinioni, shtoi ai.                            

Tv Klan