BE, ende pa doza të mjaftueshme për imunizimin brenda afateve

Teksa Shtetet e Bashkuara përshpejtojnë ritmet e vaksinimit, vendet e Bashkimit Europian vijojnë të përballen me mungesa të dozave të mjaftueshme.

Presidenti amerikan Joe Biden, në të parën konferencë për shtyp nga Shtëpinë e Bardhë, dyfishoi objektivin për injeksionet në 100 ditët e para të administratës së tij. Biden tha se ka në plan shpërndarjen e 200 milionë dozave, që nëse vaksinimi vazhdon me këto ritme, objektivi arrihet brenda 23 Prillit.

Vetëm me firmat Pfizer/BioNTech dhe Moderna, administrata amerikane ka kontrata furnizimi me 600 milionë doza, të mjaftueshme për vaksinimin e 300 milionë amerikanëve. 200 milionë të tjera parashikohet të merren nga firma e tretë e autorizuar Johnson and Johnson.

Ndërsa liderët europianë, në samitin e të enjtes ranë dakord për ashpërsimin e masave të eksporteve të dozave që prodhohen nga firmat ndërkombëtare.

Plani parashikon që të ndalohet eksporti për çdo firmë deri në përmbushjen planit mujor të furnizimit të vendeve të BE-së. Aktualisht në Shtetet e Bashkuara janë vaksinuar 26% e popullsisë, ndërsa mes vendeve të BE-së, imunizimi anti-COVID është jo më shumë se 10%.

Tv Klan