Rama: Presim mbërritjen e dozave të tjera dhe nga programi Covax

Procesit të vaksinimit anti-covid i’u shtuan grupmosha mbi 80 vjeç, po ashtu edhe 24 personalitete të njohura të fushave të ndryshme.

Kryeministri Rama dhe ministrja Manastirliu ndoqën nga afër procesin në stadiumin “Air Albania” duke theksuar se perveç personelit shëndetësor vaksinimi për këta të moshuar mbetet prioritet.

“Kemi nisur me të moshuarit mbi 80 vjeç me një grup prej 80 personash gjatë paradites ku janë një pjesë të moshuarsh të njohur dhe një pjesë tjetër nga të moshuar të sjellë nga pjesëtarë të familjes”, tha Rama.

Kryeministri Rama theksoi se ka besim që ky proces do të përmbyllet brenda 14 muajsh.

“Rëndësi ka që me dozat që kemi në dispozicion do të pëfundojmë plotësisht të gjithë vaksinimin e mjekëve dhe infermierëve dhe kjo është një gjë shumë e rëndësishme. Ne kemi arsye të jemi besimplotë që do t’ia dalim të realizojmë skenarin tonë më ambicioz që është kryerja e vaksinave për 14 muajve. Është ambicie e madhe duke pasur parasysh se dozat nuk janë aty”, tha Rama.

Sa i përket mbërritjes së dozave të tjera të vaksinave anti-covid, kryeministri nuk dha një datë konkrete.

“Po punojmë çdo ditë, çdo natë, për të garantuar më shumë doza më shpejt. Dhe dua t’ju them disave që thonë shkoni merrini nga Kina apo nga Rusia, nuk janë tezga, nuk kanë nxjerrë tezga as në Rusi as në Kinë”, u shpreh Rama.

Të moshuarit që morën dozën e parë të vaksinës, u shprehën optimist për hapin që ndërmori qeveria.

“Jam shumë i kënaqur që kam bërë vaksinën pas 6 mijë qytetarëve të nderuar të Republikës së Shqipërisë, siç janë mjekët infermierët”, u shpreh një i moshuar.

“Vaksina është shumë e mirë dhe nuk ndihet fare që po bën vaksinë”, tha një tjetër qytetare.

Në ditët në vijim vaksinimi i moshave mbi 80 vjeç do të vijojë edhe në qarqe të tjera të vendit.

Klan News