Elon Musk dhe organizata e tij politike America PAC kanë rënë dakord të mbyllin dy çështje gjyqësore që lidhen me premtimin për t’u dhënë 1 milion dollarë çdo ditë votuesve të përzgjedhur rastësisht, para zgjedhjeve presidenciale amerikane të vitit 2024.

Marrëveshja i është paraqitur të enjten një gjykate federale në Austin të Teksasit, por duhet ende të miratohet nga gjykatësi. Për momentin, nuk janë bërë publike detajet e marrëveshjes dhe as nëse ajo përfshin pagesa për personat që ngritën paditë.

Dy paditë janë ngritur nga banorë të Arizonës, të cilët pretendojnë se Musk dhe America PAC i kanë mashtruar votuesit në shtatë shtete amerikane, ku gara për president ishte shumë e ngushtë.

Sipas paditësve, Musk premtoi se do të jepte çdo ditë 1 milion dollarë për një person të përzgjedhur rastësisht nga ata që do të nënshkruanin një peticion në mbështetje të Kushtetutës amerikane. Ata pretendojnë se ky premtim i nxiti njerëzit të merrnin pjesë në nismën e tij politike, me shpresën për të fituar shumën e madhe të parave.

Musk krijoi America PAC për të mbështetur Donald Trumpin në zgjedhjet presidenciale të vitit 2024, të cilat Trump i fitoi, duke siguruar një mandat të dytë si president i Shteteve të Bashkuara.

Musk dhe organizata e tij i kanë mohuar akuzat për mashtrim. Megjithatë, çështja vazhdoi në gjykatë dhe, në qershor, një gjykatës federal vendosi se Musk duhej të dëshmonte lidhur me paditë.

Tani, me arritjen e marrëveshjes, të dyja çështjet mund të mbyllen nëse gjykata e miraton atë. Deri më tani, avokatët nuk kanë dhënë shpjegime të mëtejshme dhe kushtet e marrëveshjes mbeten të panjohura.

/tvklan.al