Një 31-vjeçare e cila u premtonte disa qytetarëve se do t’i ndihmonte për të nxjerrë licencën e farmacistit kundrejt përfitimit monetar, është arrestuar nga Policia e Tiranës.

31-vjeçarja Suela Kapidani u arrestua në flagrancë në rrugën “Josif Budo” duke marrë shumë prej 10 mijë Eurosh pasi kishte mashtruar disa persona.

Policia e Tiranës njofton se me qytetarët bisedonte në rrjetin social Instagram përmes adresave false të krijuara me emra të punonjësve të një institucionit shtetëror, me pretendimin për t’i ndihmuar në nxjerrjen e licencës për ushtrimin e profesionit të farmacistit. 

Nga hetimet e kryera ka rezultuar se nëpërmjet mashtrimeve, Suela Kapidani ka përfituar 16 mijë Euro.

Gjithashtu, nga këqyrja e telefonit të saj janë gjetur edhe shumë biseda të tjera me persona të ndryshëm, me të cilët komunikonte me qëllim mashtrimin për përfitim të paligjshëm të parave. 

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 1 kompjuter, 2 aparate telefonike, 10.000 Euro, 50.000 lekë të rinj dhe 61 fatura tatimore shitjeje. 

Specialistët e Sektorit për Hetimin e Krimeve Kompjuterike në Departamentin e Policisë Kriminale, në bashkëpunim me Prokurorinë, po vijojnë hetimet për identifikimin e personave të tjerë që mund të jenë dëmtuar nga ky aktivitet. /tvklan.al