Ndrea Prendi, ish-komandanti i Gardës së Republikës në demonstratën e 21 Janarit është shprehur ka treguar këtë të hënë se ndaj policisë atë ditë ka pasur një sulm të fuqishëm të menjëhershëm.

Ai ka rrëfyer për herë të parë në emisionin “Opinion” se, kryeministrit Sali Berisha iu kërkua që të largohej nga zyra, por ai ka refuzuar dhe ka thënë se do të vijojë punën në zyrën e tij.  

“E veçanta e kësaj demonstrate ka qenë, që sapo demonstruesit u grumbulluan para Kryeministrisë ndryshe nga herët e tjera ka patur një sulm të fuqishëm, të menjëhershëm ndaj forcave të policisë. Duke pasur parasysh që dhuna filloi menjëherë kryeministrit iu kërkua të largohej nga vendi. Përgjigja e kryeministrit ka qenë që unë jam në zyrën time të punës dhe do vijoj punën”, tha Prendi.

Ish-komandanti u shpreh se nëse do të kërcënohej jeta e Berishës do të merreshin masa ekstreme. Megjithatë Prendi u shpreh se Garda nuk do ta lejonte kurrë kërcënimin e jetës së kryeministrit në zyrën e tij.  

“Në qoftë se kërcënohej jeta e Kryeministrit patjetër që do të merreshin masa ekstreme, por ne nuk do e lejonim kurrë kërcënimin e jetës së kryeministrit në objektin e punës së tij.”

/tvklan.al