Një tjetër video e publikuar këtë të martë në Klan News, hedh më shumë dritë mbi aksidentin tragjik të 9 Marsit në Unazën Lindore të Tiranës, ku u shuan 3 jetë. Gazetari Spartak Koka, në një intervistë për Anjola Hamzajn, në studion e Klan News, përveç pamjeve ekskluzive, përcolli edhe disa detaje të reja, për momentet e para të aksidentit. Koka tregon se në përpjekje për të nxjerrë shoferin dhe njërën prej vajzave nga makina, qytetarët kanë prerë rripin e sigurimit.

“Kanë qenë disa banorë dhe qytetarë të cilët u kanë dhënë ndihmën e parë sidomos drejtuesit të mjetit dhe vajzës e cila ka qenë  e bllokuar në automjet. Drejtuesi i mjetit ka qenë i lidhur me rripin e sigurimit dhe ka pasur një spostim të sediljes së tij. Është dashur që ta prisnin me thikë rripin e sigurimit, në mënyrë që të nxirrnin personat nga automjeti”, tha gazetari Spartak Koka.

Pavarësisht përpjekjeve, dy vajzat që ishin pasagjere,Erisilda Abedini 22-vjeçe dhe Sikela Përroj 23-vjeçe gjetën vdekjen në vendin e ngjarjes. Shoferi Klevis Ruçaj, 20 vjeç, ndërroi jetë pak orë më vonë në spital.Përplasja e gjithë kabinës së Audit vertikalisht në murin ndarës të nënkalimit, ishte fatale.

Në videon e re ekskluzive (Lexo më shumë), shihet makina e cila vjen me shpejtësi drejt rrethrrotullimit të TEG-ut, duke u përplasur fillimisht me barrierat metalike në rrethrrotullim. Më pas fluturon në ajër, krijon kontakt fizik me kofanon e makinës Hyundai dhe përplaset me forcë të madhe, vertikalisht, duke shtypur kabinën në murin anësor të rrugës./tvklan.al