Presidenca u është përgjigjur deklaratave të bëra nga Kryeministri Edi Rama ditën e sotme, kur tha se llir Meta “është zhytur në betejë elektorale” dhe ish-partia e tij do të humbasë zgjedhjet.

Zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi, ka reaguar duke i kërkuar Kryeministrit që të respektojë marrëveshjen e 5 Qershorit të arritur mes PS-PD-LSI me ndërmjetësimin e ndërkombëtarëve.

“Respekto marrëveshjen e 5 Qershorit profet i kokoshkave! Më mirë opozitar se sa tradhtar, më mirë opozitar se sa kusar, më mirë opozitar se sa zuzar. Profeti i Kokoshkave nuk ka faj që i ka hyrë tartakuti nga 25 Prilli.

Profeti i Kokoshkave i urren zgjedhjet. Profeti i Kokoshkave ka frikë nga zgjedhjet, edhe në parti. Presidenti nuk e shpëton dot Profetin e Kokoshkave nga makthet dhe ankthet e tij, sigurisht as nga 25 Prilli. Shqiptarët po bëhen gati për të marrë pjesë në Referendumin më të madh në këto 30 vite kundër bandës, tiranisë dhe këtij Sekti, që nuk njeh as Kushtetutë, as ligj, as nder, as familje, as Atdhe, as BE dhe as OSBE duke turpëruar edhe karriken qyl në krye të saj. Ilir Meta para se të jetë President dhe opozitar, në radhë të parë është shqiptar. Leri llogjet dhe respekto Marrëveshjen e 5 Qershorit. Mbaje njëherë fjalën në jetën tënde se e ke edhe me shkrim dhe noterizim”, shkruan në Facebook zëdhënësi i Presidencës. /tvklan.al