Presidenca i përgjigjet deklaratës së ambasadës amerikane

Zyra për shtyp e Presidencës ka reaguar menjëherë në rrjetet sociale pas deklaratës së ambasadës së Shteteve të Bashkuara të Amerikës në lidhje me ngërçin në Gjykatën Kushtetuese. Në një status në rrjetet sociale, zëdhënësi i Presidentit Meta, Tedi Blushi thotë se tashmë është koha për “Rule of Law” dhe jo për “Rule of Embassy”.

“Garantët e veprimeve të paligjshme dhe mafioze të Dvoranit e kanë marrë mbrëmë përgjigjen zyrtare në një bisedë zyrtare tepër të përgjegjshme të Kryetarit të Shtetit. Tymi i Venecias që hodhi me porosi të Ramës, Ambasadori në ikje i Agaçit pak ditë më parë, është turpi më i fundit i grupit të strukturuar diplomatik në Tiranë, bashkëfajtor për dhunimin sistematik të Reformës në Drejtësi dhe me qëllim kapjen e saj të plotë nga Regjimi monist i Edi Ramës. Mjaft më “Rule of Embassy”. Është koha për “Rule of Law” si çdo vend demokratik. Rruga e Elbasanit të çon në Elbasan dhe Rama e përdor dhe për në Xibrakë! Rruga e Kavajës të çon në Kavajë! Vetëm rruga e Kushtetutës na çon në Europën e Bashkuar”, shkruan Blushi.

Më herët, ambasada e Shteteve të Bashkuara deklaroi se mbështet dërgimin e çështjes së Gjykatës Kushtetuese në Komisionin e Venecias si një palë e tretë kompetente dhe e paanshme, për opinionin e tij ligjor./tvklan.al