Parlamenti ka miratuar sot me 97 vota ndryshimet në Kodin Elektoral, edhe pse bojkoti i disa deputetëve të opozitës dhe bllokimi i foltores nga Rudina Hajdari nuk penguan mazhorancën që të kalonte amendimet.

Pas këtij votimi, Presidenca ka reaguar përmes zëdhënësit të saj Tedi Blushi, duke thënë se miratimi i ndryshimeve në Kodin Zgjedhor nuk përbën asnjë surprizë.

Ndërsa ka paralajmëruar se ditën e nesërme do të publikojë emrat e deputetëve që votuan për këto ndryshime, duke pasur parasysh se mazhoranca nuk i ka 97 vota në Parlament.

“Zero surprizë nga Kuvendi i Turpit dhe Kokoshkave, që ulin kokën dhe ngrenë dorën. Ka vetëm një fajtor dhe ky është Mister 1 Prilli ose Profeti i Kokoshkave. Të tjerët janë bashkëpunëtorët e tij të rëndomtë, të blerë, të kapur, të shantazhuar e të nënshtruar. Nesër publikojmë emrat e të gjithë atyre që ngritën dorën për izolimin e Shqipërisë deri në 25 Prill”.

Ndryshimet në Kod nga ana e qeverisë, Presidenca i konsideron komplot kundër qytetarëve shqiptarë dhe thotë se pas 25 Prillit, kur është dhe dita që do të mbahen zgjedhjet, do të fillojë ndryshimi.

“Presidenti është i qartë për shpartallimin e plotë të këtij komploti të mirëorganizuar prej 20 vitesh kundër popullit dhe kombit tonë, për defaktorizimin e shqiptarëve si një popull dhe komb europian. Tre milionë shqiptarë do të dinë si t’i përgjigjen këtij provokimi të poshtër, në mënyrë të bashkuar, europiane dhe Shqiptare.

Askujt të mos i vijë keq për popullin shqiptar. Nuk jemi bërë për mëshirën e askujt. Do t’i dalim zot vetë vendit tonë dhe do tregojmë se e meritojmë Demokracinë dhe Lirinë. Nga 25 Prilli fillon një epokë e re në Shqipëri.

Ajo e sundimit të popullit përmes referendumeve. Vetëm kjo do garantojë sundimin e ligjit dhe fundin e kësaj oligarkie antishqiptare. Numërimi mbrapsht sapo filloi. Jetën e japim, por demokracinë dhe lirinë kurrë më”. /tvklan.al