Mbrëmjen e sotme në studion e emisionit “Opinion” në Tv Klan, juristi Çlirim Gjata ka aluduar se çfarë mund të ketë në përmbajtjen e videos së paralajmëruar nga Presidenca për t’u bërë publike në ditët në vijim, në valën e diskutimeve dhe debateve për Gjykatën Kushtetuese.

Gjata u shpreh se nuk mendon se do të ketë ndonjë përmbajtje shantazhuese, por mendon se në të mund të shfaqen momente nga mbledhjet me dyer të mbyllura të KED apo KLP.

Sipas tij, Meta kërkon ta bëjë publike videon para se ta dërgojë atë në Prokurori, pasi nuk ka besim tek kjo e fundit.

Çlirim Gjata: Duke njohur edhe Presidentin si politikan dhe nga historia, nuk është lojtarë i lehtë, s’ma merr mendja të shkojë Ilir Meta të merret me të tilla video, e më the e të thashë. Nuk i bën shantazh Gjykatës Kushtetuese, sepse nuk ka si t’i bëjë sepse nuk ka ende një Gjykatë kushtetuese. Ky nuk po të thotë që do t’i bëjë shantazh Gjykatës Kushtetuese. Unë mendoj se do jetë një nga ato mbledhjet e KED, KLP… Edhe më parë e kam thënë se përse nuk fusin kamerat në mbledhjet e këtyre. Siç i kemi pas edhe ne në KQZ.

Aty mund të ketë ndonjë mbledhje ku me të vërtetë të ketë dalë që ‘t’ia çojmë Presidentit në këtë datë apo në atë datë, se nuk është kot ajo që Presidentit i ka shkuar lista ditën e caktuar, Parlamentit një javë pas. Nuk është bërë kot ajo.

Fevziu: Pra mund të jetë një video që mund të ketë këto diskutimet e brendshme që supozohet të jetë sekrete, që lidhet me institucionet?

Gjata: Do të jetë ndonjë video mbledhjeje, me zë të ulët si për shembull “si t’ia bëjmë që t’ia hedhim Presidentit për të futur njerëzit që do Rama. /Tvklan.al