Në një dalje për mediat, zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi bëri të ditur disa vendime të rëndësishme të marra nga kreu i shtetit. Një ndër to është miratimi i shpalljes së ligjit “Për disa shtesa dhe ndryshime në ligjin nr.115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë”.

Në këtë dispozitë të ligjit përcaktoheshin kushtet dhe kriteret që duhet të plotësonin kandidatët për t’u përfshirë në shortin për t’u zgjedhur anëtarë të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi dhe procedurat e përzgjedhjes së këtij organi.

“Edhe pse Kuvendi i Shqipërisë ka vlerësuar dhe ka realizuar ndryshimet e domosdoshme në ligjin nr. 115/2016 në një kohë shumë të vonuar, sërish Presidenti i Republikës i mirëpret ato, dhe për këto arsye me Dekretin nr.11242, datë 30.07.2019, ka vendosur shpalljen dhe miratimin e këtij ligji pa vonesë, duke shpresuar në mbarëvajtjen e procesit të përzgjedhjes dhe mirëfunksionimit të Këshillit të Emërimeve në Drejtësi”.

Gjithashtu, Presidenti ka dekretuar me shpallje/miratim të 3 ligjeve të miratuara nga Kuvendi:

“Dekret nr. 11241, datë 30.07.2019, “Për shpalljen e ligjit nr. 45/2019 “Për mbrojtjen civile”; Dekret nr. 11243, datë 30.07.2019, “Për shpalljen e ligjit nr. 55/2019 “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 9975, datë 28.7.2008, “Për taksat kombëtare”, të ndryshuar”; Dekret nr. 11244, datë 30.07.2019, “Për shpalljen e ligjit nr. 57/2019 “Për asistencën sociale në Republikën e Shqipërisë”.

Institucioni i Presidentit të Republikës bëri gjithashtu me dije se që prej marrjes së detyrës përgjatë veprimtarisë dhe vendimmarrjes kushtetuese në procesin legjislativ të shqyrtimit dhe dekretimit të ligjeve, përgjatë periudhës korrik 2017 – korrik 2019 Presidentit u janë paraqitur për shqyrtim dhe dekretim 193 ligje, nga këto: Ka Dekretuar me shpallje/miratim 156 ligje; Ka Dekretuar kthimin për rishqyrtim në Kuvend 14 ligje; Ka vendosur të lerë në heshtje 16 ligje. Aktualisht Presidenti i Republikës ka në shqyrtim 7 ligje”.

Në fund, zëdhënësi Blushi theksoi se “Presidenti i Republikës i garanton të gjithë se çdo ligj i miratuar nga Kuvendi, do të shqyrtohet me përgjegjësi të plotë. Me veprimtarinë dhe kompetencën që i njeh Kushtetuta, Presidenti nuk do të lejojë të bëhet pjesë e rendit juridik vendas, ligje që: Nuk respektojnë frymën e Kushtetutës së Republikës së Shqipërisë; Cënojnë në mënyrë flagrante parimet kushtetuese, të drejtat dhe liritë themelore të njeriut; Vendosin sadopak në rrezik interesin publik, apo nuk janë në harmoni me kuadrin rregullator në fuqi”./tvklan.al