Presidenca ka reaguar pas deklaratës së Ramës në rrjetet sociale, ku thoshte se Meta takohet nëpër skuta me OFL-në që të propagandojë rrëzimin e qeverisë.

Zëdhënësi i Presidentit të Republikës, Tedi Blushi, i ka bërë thirrje Ramës që të respektojë “5 Qershorin”. Gjithashtu ai i bën thirrje që të dënojë në emër të OSBE-së zgjedhjet në Kirgistan pasi ishin si të Shijakut dhe të Dibrës.

“Me Presidentin ti je vite dritë larg. Ishe ti që i fute në Parlament dhe i vendose në krye të Bashkive, kriminelët dhe trafikantët. Këtë e di e gjithë bota”, thotë Blushi.

Më tej, ai pyet kreun e qeverisë se pse nuk del në debat televiziv me presidentin.

“Presidenti të ka ftuar në Përballje! Po pret studion televizive dhe orën! Pse ke frikë?! Pse mblidhesh si buburrec e fshihesh pas Tëitterit?! Je aq frikacak sa trembesh edhe nga protestat e popullit në Kirgistanin e largët! Ora e Përballjes po afron!  As në skutat e Twitter-it nuk do fshihesh dot po nuk respektove urgjent Marrëveshjen e 5 Qershorit”, thotë Blushi.

Rama reagoi më herët në rrjetet sociale duke thënë se Presidenti Meta është futur nëpër lokale dhe vë baste ilegale me subjektet e OFL-së “për të propaganduar rrëzimin e qeverisë me revolucion”. Këtë kreu i qeverisë e quante krim mendor.

/tvklan.al