Presidenca reagon për propozimet dhe emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese

Presidenca reagon për propozimet dhe emërimet e anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese

21:04 09/11/2019

Zyra e shtypit të Presidencës ka reaguar me një deklaratë në lidhje me çështjen se kur do të emërojë Presidenti Ilir Meta gjyqtarin e Gjykatës Kushtetuese. Në një deklaratë për mediat, zëdhënësi i Presidentit, Tedi Blushi shprehet se falë përpjekjeve të vazhdueshme të Metës, tashmë jemi në fazën finale ku Kuvendi dhe Presidenti do të emërojnë në ditët në vijim edhe 3 anëtarë të tjerë të Gjykatës Kushtetuese. Blushi thotë se anëtari i parë i kësaj gjykate është emëruar nga Presidenti në datën 15 Tetor dhe aktualisht është në detyrë.

“Nuk ekziston asnjë individ apo institucion sipas Kushtetutës e ligjit, që t’i imponojë Presidentit të Republikës të shkelë Kushtetutën, që në këtë rast është shumë e qartë”, thotë Blushi, i cili citon edhe Kushtetutë.

“2. Anëtari i parë për t’u zëvendësuar në Gjykatën Kushtetuese emërohet nga Presidenti i Republikës, i dyti zgjidhet nga Kuvendi dhe i treti emërohet nga Gjykata e Lartë. Kjo radhë ndiqet për të gjitha emërimet që do të bëhen pas hyrjes në fuqi të këtij ligji.

12…. Me krijimin e Këshillit të Lartë Gjyqësor, Presidenti emëron gjyqtarët e Gjykatës së Lartë, sipas nenit 136 të Kushtetutës. Presidenti plotëson vakancën e parë në Gjykatën Kushtetuese sipas paragrafit 2, të këtij neni, dhe nenit 125 të Kushtetutës”. 

Sipas Blushit tashmë Presidenti i Republikës është në pritje që Kuvendi të votojë të hënën zgjedhjen e anëtarit të dytë të Gjykatës Kushtetuese.

“Menjëherë sipas radhës që dikton Kushtetuta dhe ligji do të dekretojë emërimin e anëtarit tjetër të Gjykatës Kushtetuese që do të plotësojë vendin vakant të ish-gjyqtares, znj.Altina Xhoxhaj”, thotë Blushi.

Ai shprehet se Presidenti i Republikës ka qenë garant i Kushtetutës dhe do të vazhdojë ta ushtrojë këtë rol.

“Cilido që ushqen iluzione se duke provokuar dhe duke bllokuar me tej ngritjen e Gjykatës Kushtetuese do arrijë përfitime afatshkurtra politike, do të zhgënjehet shumë rëndë. Kushtetuta e Republikës së Shqipërisë është shumë e qartë për këtë çështje dhe Presidenti po kaq i qartë dhe i vendosur në respektimin e saj”, përfundon Blushi.

Ndërkohë më herët, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi ka bërë publike renditjen e katër kandidatëve që garojnë për një vend në Gjykatën Kushtetuese. Sipas pikëzimit, emri i parë është i Arta Vorpsit që ka arritur të sigurojë 89 mijë e 642 pikë.

Kjo është lista përfundimtare e miratuar për gjyqtar në Gjykatën Kushtetuese, në vendin vakant të shpallur nga Presidenti i Republikës. E dyta renditet Fiona Papajorgji e ndjekur nga Elsa Toska dhe Marsida Xhaferllari./tvklan.al




Grupi
LAJMET

Të ngjashme


Grupi