Zëdhënësi i Presidentit Ilir Meta, Tedi Blushi ka sqaruar përmes një postimi në rrjetet sociale, deklaratën e kreut të shtetit i cili tha sot: Thuaji popullit tënd që “jam peng” dhe vazhdo punën tënde.

Blushi ka sqaruar se referenca për pengun i drejtohet Ramës. Ai shkruan se kreu i qeverisë duhet të heqë dorë nga pengmarrja europiane e Shqipërisë.

“Një sqarim për të gjithë kolegët e nderuar gazetarë: Referenca për “pengun” i adresohet direkt Kryeministrit ende në detyrë që duhet të heqë urgjentisht dorë nga pengmarrja e së ardhmes europiane të Shqipërisë!  Kjo është e qartë”, shkruan Blushi.

Presidenti Ilir Meta e mbylli me tone të ashpra konferencën për shtyp këtë të hënë.

“Mbrojtja e Kushtetutës nuk është territor i askujt, por detyrë e parë e Presidentit të Republikës. Presidenti nuk është vetëm komandant i FA-së, por është ushtar i parë i Republikës, duhet ta dijë kushdo. Ka ardhur koha për të verifikuar ndershmërinë dhe patriotizmin e çdo politikani dhe çdo qytetari. Ta dinë të gjithë, edhe armiqtë e Shqipërisë  se do ta marrin përgjigjen atje ku nuk u shkon mendja. Boll i futën duart e tyre të zeza këtu, për të na bërë një vend gazi i botës.

Ndërsa atij zotërisë i them përpiqu të bësh aq sa bëri Izetbegović kur e morën peng. Thuaji popullit tënd që “jam peng” dhe vazhdo punën tënde. Sepse këtë popull e këtë komb nuk e merr askush peng në këtë qiell e mbi këtë tokë”, tha Meta. /tvklan.al