Kandidati demokrat Joe Biden duket se është në rrugë të mbarë për të fituar zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Biden drejt fitores

Joe Biden ka fituar 264 nga 270 vota të Kolegjit Elektoral, të nevojshme për të shpallur fitoren. Ai e përforcoi pozicionin e tij kryesues pas fitoreve në Michigan dhe Wisconsin të mërkurën. Donald Trump ka 214 vota të Kolegjit Elektoral, pasi fitoi një votë në Maine.

Prej orës 08:00 të mëngjesit të së enjtes, Biden kryeson në Nevada, shtet i cili ka 6 vota të Kolegjit Elektoral, mjaftueshëm për ta shpallur fitues.

Kryesimi i Trump në Georgia nisi të ngushtohej mbrëmjen e së mërkurës dhe sa më shumë vota postare numërohen, aq më shumë Biden mund ta ndryshojë rezultatin dhe të fitojë 16 votat e tij të Kolegjit Elektoral. Votuesit në këtë shtet janë shumë më shumë se në 2016-n dhe kjo mund të jetë vendimtare. Që prej orëve të mëngjesit, Trump kryeson në Georgia me 22 mijë vota, teksa përllogaritet se kanë mbetur rreth 100 mijë të tilla për t’u numëruar.

Biden mund të marrë gjithashtu edhe Pennsylvania-n, që mund t’i japë atij 20 vota, ndonëse numërimi në këtë shtet pritet që të vazhdojë gjatë.

Duke folur për mbështetësit në Chase Center në Wilmington, Delaware, Biden tha se ishte e “qartë” se do të merrte 270 votat elektorale që i duhen për të fituar presidencën. “Nuk jam këtu për të deklaruar se kemi fituar, por për të thënë se kur numërimi të ketë përfunduar, ne do të jemi fitues“, tha Biden.

Është ende e mundur për Trump që të fitojë

Alaska nuk ka përfunduar ende me numërimin, por rezultati ka pak dyshime: Trump pritet të fitojë 3 votat e Kolegjit Elektoral, duke e çuar atë në 217.

Në mënyrë që të sigurojë 53 votat e tjera që i duhen për fitoren, atij do t’i duhet të fitojë të 4 shtetet e mbetura me 57 votat e tyre: Nevada (6 vota), North Carolina (15 vota), Georgia (16 vota) dhe Pennsylvania (20).

Çfarë po ndodh në Arizona?

Associated Press dhe disa organizata të tjera mediatike parashikuan të mërkurën se Arizona, me 11 vota të Kolegjit Elektoral, ka si fitues Biden. Megjithatë media të tjera, përfshirë NBC, nuk janë shprehur njësoj.

Teksa diferenca në Arizona u ngushtua të mërkurën në mbrëmje, mëngjesin e kësaj të enjteje, me 86 përqind të votave të numëruara, Biden mban 50.7 % të votave.

Ekipi i fushatës zgjedhore të Trump deklaroi në mënyrë të rreme se kishte fituar Arizonën, mbrëmjen e së mërkurës. Mbështetësit e Trump në kryeqytetin e këtij shteti, Phoenix, dolën në rrugë dhe lëshuan parulla kundër kanalit Fox News, pasi ky i fundit shpalli fitues edhe Biden.

Kur do të kemi një fitues?

Nevada pritet që të përditësojë rezultatet mesditën e së enjtes. Pennsylvania nuk do të përfundojë me numërimin përpara të premtes.

Mëngjesin e sotëm në Georgia kishin mbetur për t’u numëruar 2 përqind të votave, (rreth 100 mijë vota) dhe Trump kryeson me më shumë se 31 mijë bota. Rezultatet u pezulluan pjesërisht për shkak të çarjes së një tubacioni në qendrën e numërimit në Fulton, duke bërë që procesi të ndalej për një periudhë të shkurtër. Megjithatë numërimi ka rinisur.

Trump po kërcënon me padi

Trump dhe ekipi i fushatës së tij zgjedhore kanë ngritur padi për të ndaluar numërimin e votave në shtetet e rëndësishme si Pennsylvania dhe Georgia, ku ende nuk ka fitues dhe Michigan, që kryesohet nga Biden.

Stafi i Trump ka kërkuar gjithashtu rinumërim në Wisconsin, ku fitues është Biden.

Nuk ka prova që sfidat ligjore të fushatës do të kenë ndikim në rezultatin e zgjedhjeve, sipas ligjit.

Mbështetësit e armatosur të Trump mbyllin qendrën e votimit: Ndaloni numërimin…

Një qendër e votimit në Maricopa County, Arizona është detyruar të mbyllet pasi protestues të armatosur, mbështetës të Trump u përballën me policinë dhe sigurimin jashtë qendrës. Një nga ata arriti të futej brenda, duke detyruar qendrën të mbyllet bashkë me stafin.

Ndërkohë që, qindra milje në lindje, Biden deklaroi fitoren në Michigan dhe Wisconsin, duke i marrë këto dy shtete nga kontrolli i republikanëve. Garë e ngushtë po vazhdon të zhvillohet në Georgia, Pennsylvania dhe North Carolina.

Shtetet lindore fillimisht kishin treguar epërsi të mëdhe për Trump, të cilat ranë ndërsa filluan të numërohen fletëvotimet me postë. Ndërsa Trump akuzoi për mashtrim dhe filloi procese gjyqësore në këto vende.

Në situatën e tanishme, për t’u bërë Presidenti i ardhshëm Biden duhet të mbajë vetë kryesinë e tij në Arizona dhe të fitojë në Nevada, shtet në të cilin akoma po vazhdon numërimi.

Ndërsa, Trump duhet të rimarrë ose Arizonën ose Nevadën dhe do i duhet fitore në Georgia, Pennsylvania dhe North Carolina, në mënyrë që të marrë një mandat të dytë për President.

Kremlini: Paqartësitë në zgjedhjet e SHBA, ndikim negativ për botën

Kremlini tha sot se mungesa e qartësisë pas zgjedhjeve presidenciale të 3 Nëntorit në SHBA mund të ketë një ndikim të madh negativ në ekonominë globale dhe botën në përgjithësi.  

Natyrisht, çdo mungesë qartësie në një nga vendet më të mëdha të botës me ekonominë më të fortë në botë, ka dhe mund të ketë pasoja negative për biznesin global. Por, para së gjithash, ne do të duhet të shohim sa do të zgjasë kjo periudhë e mungesës së qartësisë dhe se në çfarë mase do të ndikojë “, me këto fjalë është shprehur zyrtari i Kremlinit, Dmitry Peskov.

Përderisa në një numër të madh shtetesh janë numëruar votimet, nga të cilat duket se demokrati Joe Biden i është afruar fitores për President të SHBA, zyrtarët po vazhdojnë numërimin e votave që do të përcaktojnë përfundimisht fituesin.

Ndërkohë që, në rrugë kanë dalë edhe protestues të shumtë për të shprehur pakënaqësitë e tyre për ecurinë e numërimit të votave

Sa i dëmtuan zgjedhjet akuzat e Trump, OSBE jep vlerësim paraprak

Misioni ndërkombëtar i vëzhgimit, OSBE, deklaroi se zgjedhjet në SHBA u njollosën nga paqartësitë ligjore dhe përpjekja për të minuar besimin e publikut tek institucionet demokratike.

Në një vlerësim paraprak, Organizata për Siguri dhe Bashkëveprim në Europë tha se votimet në vetvete ishin kompetitive dhe të mirëmenaxhuara pavarësisht sfidave nga koronavirusi.

Por në të thuhej se “fushata u karakterizua nga një polarizim i thellë politik që shpeshherë errësonte debatin politik dhe përfshinte akuza të pabaza për mashtrim”

OSBE ka vlerësuar se akuzat e pabaza të Presidentit Trump natën e zgjedhjeve kanë dëmtuar besimin e publikut në institucionet demokratike.

Në fjalimin e tij natën e zgjedhjeve, Donald Trump e quajti votimin “një mashtrim ndaj publikut amerikan”.

Trump tani dëshiron të ndalojë numërimin në Pensilvani, Wisconsin, Georgia dhe Michigan, duke pretenduar, pa prova, se ka mashtrim të votave.

Protestat për numërimin e votave “përplasin” mbështetësit e Trump dhe Biden

Zgjedhjet presidenciale 2020 kanë kaluar çdo parashikim. Përveçse pati një rekord pjesëmarrësish, situata është nxehur pas deklaratave të Trump që ka bërë thirrje për të ndaluar numërimin e votave.

Në Portland të Oregonit u organizua një protestë kundër thirrjeve të Trump për të ndaluar numërimin e votave. Gjatë zhvillimit të protestës pati edhe episode dhune. Dëshmitarët treguan se disa prej pjesëmarrësve në tubime u shkëputën nga grupi kryesor dhe thyen xhamat e dyqaneve në qendër të qytetit.

Në Minneapolis, policia arrestoi disa persona pasi 200 demonstrues bllokuan një rrugë kryesore. Mediat amerikane thanë se grupi protestonte kundër Donald Trump dhe thirrjes së tij për të ndaluar numërimin e votimeve. Protesta të ngjashme janë mbajtur në Neë York, Philadelphia dhe Chicago.

Ndërkohë në Detroit, një nga zonat ë të nxehta ishin mbështetësit e Trump ata që dolën të protestonin. Mediat raportojnë se ata u mblodhën jashtë një qendre numërimi të votave, u binin xhamave të dritareve dhe bërtisnin: Ndaloni numërimin. Një grup i vogël njerëzish që protestonin kundër numërimit u raportua edhe në Arizona.

Këto dy zona janë kyçe për përcaktimin e fituesit të zgjedhjeve dhe në të dyja kryeson Biden me diferencë të lehtë.

Redaksia Tvklan.al 2020