Ndryshe nga rivalët e tyre demokratë, republikanët në SHBA filluan sot Kuvendin e tyre Kombëtar me një seri aktivitetesh të drejtpërdrejta virtuale.

Kuvendi i Republikanëve po zhvillohet në qytetin Sharlot të Karolinës së Veriut. Delegatët e Partisë Republikane do të emërojnë Presidentin Donald Trump si kandidatin e tyre në garën kundër ish-nënPresidentit Joe Biden në zgjedhjet presidenciale të Nëntorit.

Presidenti Trump po ndeshet me një ekonomi në vështirësi, protesta të vazhdueshme kundër padrejtësive sociale dhe racore, dhe me kritika mbi përgjigjen e tij ndaj pandemisë së koronavirusit që ka shkaktuar vdekjen e më shumë se 176.000 amerikanëve.

Ndërkohë, sfiduesi i zotit Trump, demokrati Joe Biden, ka emëruar Senatoren Kamala Harris si kandidate për nënpresidente, si gruaja e parë afrikano-amerikane dhe aziatiko-amerikane që merr këtë lloj emërimi.

Vetëm 336 nga 2.400 delegatët republikanë janë të pranishëm në kuvend. Anëtarë të familjes së Presidentit Trump do të mbajnë fjalime këtë javë, përfshirë Zonjën e Parë Melania Trump.

Klan Plus