Presidenti i Republikës së Shqipërisë, Bajram Begaj, teksa ndodhet në Shtetet e Bashkuara për të marrë pjesë në Asamblenë Parlamentare të NATO-s në Dayton, është pritur nga komuniteti shqiptar me bazë në Filadelfia.

Nga kjo pritje, President Begaj u surprizua nga një ceremoni e organizuar prej “Bijtë e Shqipes”, me nxënësit e shkollës “Gjuha Jonë”, lajmëron zyra e shtypit e Presidencës.

Theks të veçantë i vuri përpjekjeve të diasporës shqiptare si dhe bashkëjetesën e tyre në këtë komunitet

“Falë vlerave dhe standardeve demokratike të vendit që ju keni zgjedhur si atdhe të dytë, në këtë vend kampion të demokracisë dhe respektit të të drejtave të njeriut, shqiptarët e besimit ortodoks, katolik dhe mysliman ndërtuan objektet e tyre shqipfolëse të kultit, të cilat u bënë qendra jo vetëm fetare, por edhe kulturore e arsimore”, u shpreh Begaj.

Duke u rikthyer tek organizimi i bërë nga “Bijtë e Shqipes”, President Begaj deklaroi se ky është një mjedis multikulturor që mban gjallë elementet shqiptare.

“Pikërisht në këtë shtet, në këtë mjedis multikulturor, shkolla “Bijtë e Shqipes” ndihmon në parandalimin e asimilimit të plotë të brezave të rinj, duke mbajtur gjallë elementet shqiptare në jetën tuaj të përditshme. Unë jam i ndërgjegjshëm se sfidat tuaja për të mbajtur hapur e funksionuar shkolla shqipe janë të shumta. Ato lidhen me sigurimin e fondeve të mjaftueshme e të domosdoshme, me konkurrencën me sistemin shkollor amerikan, me vështirësitë në sigurimin e mësuesve të kualifikuar dhe materialeve mësimore cilësore në gjuhën shqipe, apo dhe me motivimin e prindërve dhe nxënësve për të vijuar mësimin në mënyrë të rregullt”, u shpreh ai.

Kreu i shtetit u zotua se do bëjë gjithçka në mbështetje të këtij misioni, të cilësuar prej tij fisnik.

Gjatë qëndrimit në Philadelpia, Presidenti i Republikës vizitoi edhe Kishën Ortodokse të Shën Gjergjit, një nga kishat më të hershme ortodokse shqiptare në SHBA, si dhe shtypshkronjën e parë shqiptare, që administrohet nga gratë sipërmarrëse.

/tvklan.al