Krerët e BE: Hapni negociatat me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut

Krerët e BE: Hapni negociatat me Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut

18:45 03/10/2019

Letër vendeve anëtare: Dy shtetet bënë atë që u kërkuam Qershorin e kaluar

Pak ditë para vendimit të Këshillit Europian për çështjen e negociatave, Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut marrin mbështetjen e fortë të krerëve të Unionit, për t’u dhënë dritën jeshile dy vendeve të nisin bisedimet e anëtarësimit. Në një letër drejtuar vendeve anëtare, Presidenti në detyrë i Këshillit Europian, Donald Tusk, kreu i ri i Parlamentit Europian David Sassoli, Presidenti në detyrë i Komisionit Europin, Jean Claude Juncker dhe pasuesja e tij Ursula von der Leyen theksojnë se Tirana dhe Shkupi i kanë plotësuar detyrat që u janë vendosur dhe për këtë, ata kërkojnë çeljen e negociatave për të dy shtetet.

“Qershorin e kaluar ne ramë dakord për të marrë një vendim të qartë dhe thelbësor për hapjen e negociatave të anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, jo më vonë se Tetori i 2019-s. Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë bërë çfarë i kemi kërkuar ne të bëjnë. Për arritjen e tyre janë dashur përpjekje domethënëse nga qytetarët, për të cilët perspektiva europiane ka qenë një burim i madh motivimi dhe vendosmërie. Nëse BE vendos tani të hapë negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut dhe Shqipërinë, kjo është një provë për aftësinë e Unionit në përmbushjen e premtimeve dhe vizionin drejt të ardhmes”.

Krerët e Unionit thonë se Bashkimi Europian ndodhet përpara një zgjedhjeje strategjike që përputhet plotësisht me aspiratën e dy vendeve për t’u bërë pjesë e familjes europiane. Ata nënvizojnë se  rrugëtimi deri në anëtarësimin e plotë do të jetë i gjatë dhe i lidhur me plotësimin e reformave, duke ripërsëritur thirrjen që negociatat të hapen tani.

“Nuk ka asnjë garanci për sukses. Do të ketë punë shumë të vështirë për reformat gjatë kësaj rruge. Anëtarësimi nuk do të ndodhë brenda natës. Dhe të dy vendet të vetëdijshme për këtë. Paralelisht, bashkëpunimi i BE-së duhet të thellohet që të shkojë paralel me zgjerimin në interes të përbashkët të qytetarëve europianë dhe atyre të vendeve kandidate. Besojmë se tani është koha të hapen negociatat e anëtarësimit për të dy vendet.

Më tej ata theksojnë se ndërmarrja e hapave drejt integrimit të atyre vendeve europiane që kanë shprehur interes dhe kanë përmbushur kriteret për nisjen e procesit të anëtarësimit do të ndihmojë në forcimin e rolit të BE-së në arenën ndërkombëtare. Vendimi për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut do të diskutohet në Samitin e Ministrave të Jashtëm në 15 Tetor, në Bruksel.

Tv Klan

LAJMET
Të ngjashme
KPT
KPT
UKT