Pavarësisht se opozita nuk ka votat e duhura, në frymë duhet të jetë ajo që duhet të ndihmojë në gjetjen e një figure konsensuale për president. Kështu u shpreh Enkelejd Alibeaj pas përfundimit të seancës plenare ku edhe raundi i dytë për zgjedhjen e kreut të ri të shtetit u ezaurua pa një kandidaturë. Alibeaj insiston se kjo figurë duhet të jetë mbi palët. Por i pyetur se përse opozita nuk propozoi emra, ashtu siç ishte rënë dakord, të shoqëruar me firmat e 20 deputetëve, Alibeaj tha se e dinte cili do ishte konkluzioni i kësaj. Sipas tij mazhoranca do i hidhte poshtë këto kandidatura.

“Duhet të jetë presidenti i shqiptarëve, detyrimi ynë është pikërisht kjo. Ne propozuam këto rregulla, si një mënyrë e mirë që të marrë mbështetjen e palëve politike që të mos e konsiderojë veten peng të njërës apo tjetrës palë, që të mos zgjedhim një hemafrodit politik, as i PS as i PD. Mënyra më e mirë është një proces i përbashkët, hap pas hapi. Ky do duhet të jetë modeli sesi presidenti do duhet të jetë. Nuk mund të bëhet eksperiment me presidentin. Të jetë një njeri që qëndron realisht mbi palët dhe rezonon tek publiku. Cila është ftesa? Ofroni ju me firmat tuaja. Po e bëjmë ne edhe këtë. Do vijë ai këtu dhe do thotë s’më pëlqen ky”.

“Presidenti i republikës, procesi i zgjedhjes së tij nuk është një eksperiment për të testuar besueshmërinë e atij që ishte këtu. Po kanë 8 vjet shqiptarët që e dinë se çfarë është. Jua thashë njëherë, ka rrëmbyer të gjitha pushtetet. Për këtë arsye nuk mund të bëhet eksperiment me Presidentin e Republikës, nuk do të ishte aspak e hijshme dhe shumë sipërfaqësore”.

Mazhorancën e akuzoi se po e zvarrit qëllimisht procesin që të shkojë në raundin e 4 dhe të 5 që ta zgjedhë vetë presidentin.

“Në mënyrë më serioze, me kontributin tonë ne besuam që proces, rregulla, pastaj emra. Është procesi ai që do të jepte një emër sipas atyre kritereve që ne besuam dhe emrat dolën. Po ç’ti bëj unë këtyre njerëzve që dinë vetëm të hanë fjalën, siç e kanë bërë. Detyrimi ynë është të kontribuojmë në nxjerrjen e figurës presidenciale. Kaq kemi detyrim ne si opozitë, e dimë fare mirë që ka vjedhur votat ky. Që në raundin e 4 dhe 5 i ka votat, prandaj dhe po zvarritet që të shkojë pastaj në raundin e 4 e 5. Mjeti ynë i vetëm është që të qëndrojmë tek rregullat, procedurat e rëna dakord, këtë kemi për detyrë ne, këtë kemi bërë”./tvklan.al