Balla: Nuk kemi rënë dakord të mbështesim kandidatët e PD     

Në një kohë kur pritej vijimi i negociatave mes mazhorancës dhe opozitës për çështjen e Presidentit, ka dështuar  marrëveshja e arritur mes palëve për gjetjen e një kandidature konsensuale.

Enkelejd Alibeaj akuzoi socialistët se nuk i qëndruan besnik dokumentit të dakordësuar më herët për procedurën e përzgjedhjes së kandidatëve, ku sipas tij emri që do të çohej për votim në raundin e dytë duhet të kishte firmat e deputetëve të mazhorancës dhe opozitës.

“Kjo tërheqje nga nënshkrimi është mospranimi i konsensulitetit të procesit. Një nga shkaqet është që cilësia e kandidatëve tanë, nuk janë as peng. Edi Rama kur pa që njëra prej tyre mund të ishte Presidenti i Republikës dhe pa që s’kishte asnjë shans për ta joshur, për ta vjedhur”, tha Alibeaj.

Por këto pretendime të Alibeajt u hodhën poshtë nga Taulant Balla, i cili tha se nuk ka pasur asnjë marrëveshje me kreun e grupit të demokratëve për të mbështetur me firma kandidatin e tyre.

“Nuk ka pasur dakordësi për atë formulën 4-2-1. Kjo gjë ua konfirmoj, ka pasur dakordësi që në dy raundet e mbetura, të mos ketë propozim nga mazhoranca. Ka pasur një insistim të qartë nga ana jonë që nuk mund të mbështesim me firma një kandidat. Çfarë kuptim ka që kandidatin e opozitës ta mbështesë shumica me vota”.

Alibeaj paralajmëroi se nuk do të kthehet në tryezën e negociatave, por Taulant Balla tha se mazhoranca nuk do të propozojë asnjë kandidaturë deri në raundin e tretë.

“Është e qartë për ne, ja përse çdo gjë e dokumentuam dhe e bëmë në sy të publikut”, deklaroi Alibeaj.

“Deri të dielën në orën 16:00 t’i depozitojnë dy kandidaturat. Ne do t’i qëndrojmë marrëveshjes dhe nuk do të dorëzojmë emra deri në tre raundet. Ne do presim raundin e katërt për të propozuar emra”, u shpreh Balla.

Në 23 Maj pritet të mbahet raundi i dytë i zgjedhjes së Presidentit, ku me shumë gjasa edhe ky raund do të ezaurohet  pa një emër të propozuar nga palët.

Tv Klan