Presidenti Nishani ka depozituar në  Gjykatën Kushtetuese kërkesën për Shfuqizimin e ligjit “Për trajtimin e pronës dhe përfundimin e procesit të kompensimit të pronave , si dhe pezullimin e tij duke e konsideruar si të papajtueshëm me Kushtetutën.

Presidenti vlerëson se ligji në tërësinë e tij cënon parimet bazë kushtetuese të sigurisë juridike, barazisë para ligjit, zhbën konceptin e ekonomisë së tregut.

“Përmes këtij ligji shkelet parimi i sigurisë juridike në trajtimin e kompensimit financiar të pronës të njohura dhe të dhëna për kompensim prej vitesh, përsa kohë Qeveria synon që përmes këtij ligji, t’i kthehet llojit të tokës në momentin e shpronësimit. Kjo do të thotë të bësh një rishikim të vendimit përfundimtar që ka kthyer kompensuar pronën.”

Në kërkesën drejtuar kushtetueses, Nishani shkruan se ligji bie ndesh me vendimet e Gjykatës Kushtetuese dhe standardin e vendosur nga Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut.

“Rishikimi dhe përditësimi i hartave të vlerës duhet t’i nënshtrohet kritereve transparente dhe shpjeguese, duke marrë parasysh zhvillimin e tokës dhe luhatjet e tregut. Gjykata nxit autoritetet me prioritet që të fillojnë shfrytëzimin e formave të tjera alternative të kompensimit.”

Gjithashtu institucioni i presidentit gjykon se ligji vendos një skemë kompensimi që nuk duket aspak realiste, përsa kohë nuk ekziston një numër i saktë dhe përfundimtar i vendimeve administrative dhe gjyqësore lidhur me kompensimin e pronës.

“Skema e ofruar përmes këtij ligji për trajtimin e dosjeve të patrajtuara apo ato që do të depozitohen rishtazi pas hyrjes në fuqi të ligjit, bie ndesh me parimin kushtetues të sigurisë juridike, të barazisë para ligjit dhe të së drejtës së ankimit.”

Kreu i shtetit e kishte kthyer për rishqyrtimin ligjin në parlament, por shumica e rrëzoi dekretin e tij në seancën e datës 21 Janar.

Tv Klan