Përfaqësuesi i Vatikanit takon edhe kryetaren e Kuvendit

Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj, ka pritur sot në një takim Sekretarin e Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, imzot Paul Richard Gallagher.

Të pranishëm ne takim ishin edhe e ngarkuara me punë e Shqipërisë pranë Selisë së Shenjtë, Majlinda Dodaj si dhe Nunci Apostolik në Shqipëri, Imzot Luigi Bonazzi.

Prania e tij në Shqipëri, për kreun e shtetit rikonfirmon marrëdhëniet e shkëlqyera të Shqipërisë dhe Vatikanit dhe komunitetit katolik shqiptar me Selinë e Shenjtë.

Në këtë takim në mënyrë të veçantë Begaj, ritheksoi kërkesën e njohjes së Kosovës nga shteti i Vatikanit dhe rritjen e mbështetjes ndaj saj dhe çështjes aktuale politike, dialogut Kosovë – Serbi.

Imzot Gallagher u prit në një takim edhe nga kryetarja e Kuvendit, Lindita Nikolla. Kryeparlamentarja njëjtë si kreu shtetit, praninë e tij e konsideroi një shenjë të marrëdhënieve të shkëlqyera dypalëshe.

Edhe në këtë takim, njohja e Kosovës, nga Vatikani ishte në qendër të bisedimeve. Vetë sekretari i Vatikanit për Marrëdhëniet me Shtetet dhe Organizatat Ndërkombëtare, imzot Paul Richard Gallagher, u shpreh se Shqipëria dhe Ballkani Perëndimor janë prioritet i Selisë së Shenjtë.

Në ditën e fundit të qëndrimit në Shqipëri, përfaqësuesi i Selisë së Shenjtë, Gallagher do të vizitojë Universitetin Katolik të Zojës së Këshillit të Mirë, më pas Kishën Katedrale Katolike dhe atë Ortodokse e do të ndalet dhe në Xhaminë e E’them Beut.

Më herët gjatë vizitës së tij, imzot Gallagher pati një takim edhe me ministren e Jashtme Olta Xhaçka si dhe mori pjesë në meshat e shenjta në Katedralen e Shkodrës dhe atë të Rrëshenit.

Tv Klan